Gjykata e Posaçme e Apelit nuk pranoi ankimin e Ahmet Mashës, i cili kundërshtoi vendimin e shkallës së parë të gjyqësorit për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij.
Masha, i njohur si bashkëpunëtori i ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja, kërkonte nga shkalla e dytë e gjyqësorit zbutje të masës, ndërkohë që mbahet në paraburgim që prej tetorit të vitit të kaluar, me urdhër të SPAK.
Masha dhe Jurgis Çyrbja ranë në pranga me urdhër të SPAK më 20 tetor 2024, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin Sky ECC.
Ish-deputetit Çyrbja i akuzohet nga struktura antikorrupsion se ka kryer veprat penale “tregim i sekretit shtetëror nga shtetas”, kryer më shumë se një herë (sipas episodeve respektive), “përkrahje e autorit të krimit”, kryer më shumë se një herë (sipas episodeve respektive), dhe “tregim i sekretit shtetëror nga shtetas”, kryer në bashkëpunim me të hetuarin Ahmet Masha.
Lidhur me këtë hetim, i cili ndiqet nga prokurori Adnan Xholi, ndodhet në kërkim Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” në Shijak, i cili kërkohet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion edhe për një tjetër çështje, për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Komente
