Petruzella, Taçi dhe Zummo

Gjykata e Palermos vendos, bashkëpunëtori i Taçit, Fabio Petruzzella mbetet prapa hekurave, por bie akuza për mafia! Tentuan të pastronin 18.4 mln euro nga Shqipëria

5 Dhjetor 2021, 13:05| Përditesimi: 10 Dhjetor 2021, 16:34

  • Share

Kontabilisti nga Palermo, Fabio Petruzzella, i arrestuar për 'pastrim parash' në çështjen ku është i përfshirë edhe biznesmeni shqiptar Rezart Taçi, do të mbetet në burg. Ky është vendimi i gjykatës që pranoi kërkesën e prokurorisë së Palermos. Petruzella u ndalua më 12 nëntor dhe fillimisht ishte në 'arrest shtëpie'.

Kontabilisti u arrestua së bashku me Francesco Zummo-n, një biznesmen 90-vjeçar nga Palermo. Petruzzella mendohet se e ka ndihmuar Zummo-n që të shpëtonte 19 milionë euro nga konfiskimi, duke i transferuar ato në një llogari bankare në Tiranë.

Për Fabio Petruzzellan ndërkohë ka rënë akuza për bashkëpunimin me mafian. Praktikisht sipas akuzës ai po tentonte të pastronte paratë e bosit Zummo, pavarësisht se cila ishte origjina e tyre.

Petruzzella në këtë rast ka vepruar si ekspert kontabël i pavarur, në bashkëpunimin me Rezart Taçin. Edhe Taçi nuk ka asnjë akuzë për lidhje me grupin mafioz.

Kujtojmë se në Shqipëri është shpallur në kërkim biznesmeni Rezart Taçi dhe janë lënë në burg kunati dhe shoferi i ish-bosit të naftës, të cilët Prokuroria e Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit po i heton në cilësinë e të dyshuarve si pjesë e pastrimit të 18 milion eurove.

Këto para i përkasnin bosit të Cosa Nostrës Francesco Zummo, ndaj të cilit antimafia italiane ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për llogari të këtij hetimi.  Për Rezart Taçin SPAK i ka kërkuar Interpolit gjetjen dhe arrestimin e tij.

Ishin përgjimet e SPAK ato që zbuluan përfshirjen e Taçit, ku më 6 tetor 2021 Taçi i thotë Francesco Zummos se paratë ia garantonte me asetet e tij, duke i kërkuar të mos kishte merak, pas hapjes se llogarisë më 18 qershor në Mal të Zi e në Tiranë.

Nga hetimet e SPAK, Artur Balla dhe Beldar Lilo kanë pasur një rol aktiv për të ndihmuar italianët Francesco Zummon dhe ekonomistin Fabio Petruzzella-n, të dy të arrestuar në Itali, të hapnin llogari bankare dhe të bënin transferta parash për pastrimin e tyre. Balla dhe Lilo ndihmonin italianët me lëvizjet e tyre në Shqipëri  dhe bënin transfertat e parave sipas porosive që u jepte Rezart Taçi, i cili është në kërkim.

Sipas dosjes së siguruar nga Report Tv 18.4 milionë euro ishin depozituar nga korriku në një llogari bankare të hapur pranë ‘Alpha bank’ në Tiranë dhe pastaj duhet transferoheshin në Hong-Kong dhe Singapor nëpërmjet një kompanie të Rezart Taçit, po SPAK e ka bllokuar operacionin.

Llogaria ishte në emër të Francesco Zummo me shumën 18.399.996 euro. Ndërsa Taçi do të fitonte 3 milionë euro nga ky operacion, ose 16% e shuma. Shuma vinte nga një bankë në Kantonin zviceran të Ticino dhe ishin pjesa e pasurisë 150 miliona euro te Francesco Zummo ta konfiskuar nga gjykata italiane si te ardhura të Cosa Nostra.

Skema e pastrimit të parave ku ishin përfshirë ish bosi i naftës Rezart Taçi, kunati i tij Artur Balla dhe ish truproja e tij Bledar Lilo, u zbulua nga SPAK pas hetimeve disa mujore.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?