Politikë

PD-PS dakord që komisioni hetimor për '25 prillin' të kalojë të enjten! Debat për 'Becchetin', mazhoranca s'e pranon, Rrushaj: Po shkelet Kushtetuta

12 Tetor 2021, 13:58| Përditesimi: 12 Tetor 2021, 19:22

  • Share

Mesditën e sotme u mlodh Konferenca e Kryetarëve e Kuvendit të Shqipërisë. Në mbledhje u morën vendime të rëndësishme për kalimin për shqyrtim në seancën plenare të datës 14 tetor 2021, ditën e enjte, të komisionit hetimor e për zgjedhjet e 25 prillit.  Por 2 krerët e grupeve parlamentare, Taulant Balla dhe Alfred Rrushaj, kanë shpjeguar për mediat mosdakordësinë për ngritjen e komisionin hetimor "Becchetti". 

Balla tha se "Ngritja e Komisionit për 25 prillit do të bëhet ditën e enjte, jemi duke dakordësuar për çështjen e menaxhimit të mbetjeve. Ndërkohë që do të rrëzohet komisioni 'Beçhetti'".

Ndërsa rrushaj shprehet se mazhoranca po shkel kushtetutën me qëndrimin e saj. 

"Ka një vendim të palës tjetër për të mos pranuar ngritjen e komisionit hetimor "Becchetti". Justifikimi për këtë është një letër e avokatit të shtetit dhe socialistët thonë që ngritja e këtij komisioni është kundër interesit të Shqipërisë. Në fakt është kundër interesit të Shqipërisë. Kjo në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe të vendimeve të qartë të Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk do ta pranojmë këtë. Do të bëjmë gjithçka që ky komision të ngrihet dhe shqiptarët ta dinë pse do të paguajnë 120 milionë euro", tha ai. 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka ripërsëritur qëndrimin e mazhorancës që amendamenti kushtetues për zgjatjen e afateve të vettingut të bëhet sa më parë.

Balla tha se mazhoranca është e hapur për bashkëpunim për çdo propozim të opozitës për refortën territoriale.

"Të arrijmë që të kemi brenda një kohe të shkurtër këtë amendament gati dhe pastaj të fillojë procedura parlamentare. Një amendament kushtetues kërkon minimalisht 45 ditë por mund të shkojë edhe 60 ditë.  Të mos e politizojmë këtë çështje, ta mbajmë më shumë si çështje teknike për vijueshmërinë e reformës historike, atë në sistemin e drejtësisë. Sa i përket çështjeve të tjera ne e rishprehim gatishmërinë për të qenë në mënyrë vijuese të hapur për të diskutuar pa rezerva çdo lloj çështjeje që mund të vijë nga opozita në Kuvendin e Shqipërisë", tha Balla.  

Ndërkohë që Alfred Rrushaj i është përgjigjur duke thënë se ende një propozim zyrtar nuk ka mbërritur në tryezë. 

Vendimet në Konferencën e Kryetarëve

-Kalimi për shqyrtim në seancën plenare të datës 14 tetor 2021, i kërkesave të deputetëve të Partisë Demokratike: “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për kontrollin e keqpërdorimit të burimeve të administratës shtetërore, si dhe të asgjësimit të kufirit midis Shtetit dhe PS në pushtet për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021”; “Për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve administrative dhe procedurës së ndjekur  nga ana e organeve ekzekutive në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë. Elbasan dhe Fier”; si dhe “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjell si pasojë vendimin e arbitrazhit ‘Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë’”

-Shtimi i minutazhit të diskutimit për çështjet e parashikuara në seancën plenare të radhës, me 60 minuta, kohë që do të ndahet në mënyrë përpjesëtimore ndërmjet grupeve parlamentare, sipas përfaqësimit të tyre në Kuvend; 

-Lejimin e gazetarëve për të ndjekur fizikisht punimet e seancës plenare, në vendin e caktuar për ta galerinë e sipërme të sallës plenare;  si dhe marrjes së planeve nga operatorët për një periudhë kohore deri në 5 minuta nga hapja e seancës.

- Futja në programin e punimeve të Kuvendit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a. (OSHEE) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e OSHEE-së për reagimin ndaj krizës së pandemisë Covid-19 “.

 

Ora 14:25
Komisioni 'Becchetti', Alfred Rrushaj: PS po shkel Kushtetutën, ne do të bëjmë gjithçka për ta ngritur! S'kemi marrë asnjë propozim për vettingun

1634041675_IMG20210913WA0005.jpg

Edhe pse homologu i tij socialist bëri thirrje që ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e afateve të vettingut të bëhen sa më shpejt, kreu u Grupit Parlamentar demokrat Alfred Rrushaj thotë se ende asnjë propozim zyrtar nuk ka mbërritur në Selinë Blu. 

"Ne nuk kemi marrë asnjë kërkesë nga askush deri tani. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për çështje shumë më të rëndësishme siç është ndryshimi i Kodit Zgjedhor apo çështje të tjera", tha Rrushaj. 

Sa i përket çështjes së ngritjes së komisionit "Becchetti", Rrushaj shprehet se mazhoranca po shkel kushtetutën me qëndrimin e saj. 

"Ka një vendim të palës tjetër për të mos pranuar ngritjen e komisionit hetimor "Becchetti". Justifikimi për këtë është një letër e avokatit të shtetit dhe socialistët thonë që ngritja e këtij komisioni është kundër interesit të Shqipërisë. Në fakt është kundër interesit të Shqipërisë. Kjo në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe të vendimeve të qartë të Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk do ta pranojmë këtë. Do të bëjmë gjithçka që ky komision të ngrihet dhe shqiptarët ta dinë pse do të paguajnë 120 milionë euro", tha ai. 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?