TIRANË- Koalicionin e Sali Berishës me Lëvizjen Socialiste për Integrim, Ish-deputeti i PD, Azgan Haklaj e ka parë në një tjetër këndvështrim. Në studion e Report Tv, në emisionin 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga, Haklaj thotë se me këtë vendim Berisha është bërë pjesë e LSI-së.
"Kur Meta shpalli zgjedhjet e pjesshme u duk sikur e bëri që ta zërë në befasi PD dhe Bashën, por ndodhi e kundërta, dhe luajti në hapësirën që i jepte Kushtetua, për t'i thënë që mbështet Foltores, dhe Foltorja do jetë pjesë e LSI, Berishës i interesonte që të futeshe ne polin e tretë, dhe pasi s'e mori dot, gjeti një kasolle për t'u mbrojtur", tha Haklaj.
Fabian Topollaj i Bindjes Demokratike shprehet i bindur se në zgjedhjet e 6 marsit, Berisha nuk pretendon që t'i fitojë, por t'i tregojë "forcën" Lulzim Bashës.
"Berisha nuk është futur në garë që të fitojë, por vetëm të tregojë që është më shumë se Lulzim Basha. Basha nuk do ia lëshojë siglën, Berisha do bëjë parti tjetër. Kjo është një kosto që Berisha është i detyruar ta paguajë. Kjo është zgjedhe e qartë e Berishës dhe Metës për t'u bërë bashkë dhe për të treguar forcën, ata mendojnë se të dy bashkë grumbullojnë më shumë", u shpreh Topollaj.
Në të njëjtën linjë, ka qenë edhe Flogert Muça, redaktor në Lexo.al. Ai thotë se rezultati që do të prodhohet në zgjedhjet e 6 marsit, në bashkitë pa kryetar, do të diktojnë edhe të ardhmen e PD-së.
"Berisha e drejton klubin bashkë me Metën, LSI ka qenë artifica ligjore për të maksimizuar votën. Basha ka një rekord humbjesh që vetëm vetë mund ta thyejë si rekord. Kryetar tjetër që të humbë sa Basha nuk ka. Si do shkojnë zgjedhjet në 6 mars do diktohet si do jetë e ardhmja e PD-së. Shkodra është probabiliteti më i madh që PD e Berishës ta marrë, por edhe nëse nuk e merr, do shihet se cili nga kandidatët kanë marrë më shumë vota", tha Flogert Muça, redaktor në Lexo.al.