Megjithëse ministrja Delina Ibrahimaj, në reagimin e saj, ka sqaruar se incidenti i bashkëshortit të saj me zyrtarin, është pushuar nga organet e drejtësisë për mungesë provash, PD, sot ka kërkuar largimin e saj nga posti, duke e cilësuar ngjarjen kambanë alarmi për rrezikun që u kanoset njerëzve nga sulmet e atyre në pushtet.
Në një deklaratë për mediat, nënkryetarja e PD, Oriola Pampuri tha se nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga qeveria apo kryeministri Edi Rama për këtë ngjarje të rëndë.
"Rasti i bashkëshortit të ministres Delina Ibrahimaj, i cili u mbajt i fshehur nga autoritetet përgjegjëse dhe u bë publik vetëm kur media e pasqyroi, nuk është vetëm për të kuptuar se si funksionon pushteti në Shqipëri, por është edhe një kambanë alarmi për njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur nga sulmet dhe dhuna e njerëzve të pushtetit.
Ndonëse kanë kaluar disa ditë nga bërja publike e ngjarjes, përveç një reagimi të vakët dhe aspak bindës nga ministrja Ibrahimaj, nuk kemi asnjë reagim zyrtar të qeverisë shqiptare apo të vetë Edi Ramës si shefi i drejtpërdrejtë i ministres në fjalë.
Ngjarja nuk është vetëm e shëmtuar si akt përmbajtësor, ku burri i ministres bëhet protagonist i zgjidhjes së “halleve” shtetërore të bashkëshortes së tij, por ajo është një ogur i keq për zgjidhjen e konflikteve apo të mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrës në të ardhmen. Partia Demokratike e Shqipërisë kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministres Ibrahimaj si akti i parë i të treguarit të vullnetit dhe i fillimit të hetimeve të paanshme dhe të patrysnuara nga prokuroria.
Partia Demokratike e Shqipërisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të denoncojnë të gjitha aktet e dhunës dhe të presionit shtetëror të kësaj qeverie si e vetmja rrugë dhe mënyrë për të dalë nga presioni dhe zgjedha e saj. Ne jemi të vendosur për të qenë zëri i njerëzve të pa zë dhe mbrojtës të interesit të tyre”, u shpreh Pampuri.
Bashkëshorti i ministres së Sipërmarrjes, Delina Brahimaj është përfshirë në një sulm me thikë ndaj drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive, Eri Koshaj. Ngjarja ka ndodhur në nëntor 2023, por u zbulua në media 5 muaj më pas, më 26 prill 2024.
Në një reagim të saj, ministrja Ibrahimaj konfirmoi ngjarjen, duke e quajtur një “konflikt të padëshiruar, i cili ka marrë përgjigje në rrugën e drejtësisë”. Ministrja theksoi se konflikti është hetuar nga organet e drejtësisë dhe është pushuar për mungesë provash, ndërsa bashkëshorti, sipas saj, u kallëzua padrejtësisht “për diçka që nuk e ka bërë, gjë që u konfirmua edhe nga vendimi i organeve të akuzës”.