Bashkëshorti mundi COVID, Zenepe Luka në Report Tv: Jeta ime ka qenë vështirë por kur diskutova ikjen e tij... hapa bllokun ku kishte lënë amanetet

4 Dhjetor 2020, 16:17| Përditesimi: 4 Dhjetor 2020, 16:37

  • Share

Zenepe Luka është një emër shumë i njohur, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por në të gjithë hapësirën mediatike. Ajo është një gazetare që në vitin 1998 iu vu tritol në shtëpi, me qëllimin për ta asgjësuar familjen e saj.

Por së fundmi familjes së saj i është dashur të përballet me një tjetër sfidë shumë të madhe, luftën ndaj COVID.  Ajo u shfaq para dy ditësh në një video të publikuar nga Kryeministri Rama, ku së bashku me bashkëshortin e saj kanë rrëfyer se si koronavirusi tentoi të merrte Ismailin por ia doli ta mundte.

Sot Zenepe Luka ka rrëfyer në një intervistë për Report Tv të tjera detaje shumë të dhimbshme për eksperiencën e saj. Ajo tregon se si një pakujdesi desh çoi në tragjedi.

"Në të vërtetë problemi ka qenë me bashkëshortin tim, mjekun Ismail Luka. Do thosha sinqerisht ishte një pakujdesi e tij që në një rreth miqsh dhe kolegësh kaloi një darkë në qytetin e lindjes dhe kur erdhi kishte një temperaturë 38.5. Sigurisht u shqetësua ai e ne të gjithë dhe u izolua menjëherë. Gjatë katër ditëve që qëndroi në shtëpi vazhdonte me këto shenja, temperatura rritej, dhimbje kockash, dhimbje barku dhe filloi ti vështirësohej frymëmarrja. Menjëherë me mjeken e lagjes, personelin që është kujdesur në Vlorë dhe filloi terapia sipas protokollit për të gjithë të sëmurët. Iu bë tamponi dhe doli pozitiv. Gjatë 8 ditëve që qëndroi në shtëpi gjendja iu rëndua, vendosëm ti bëhet skaneri dhe jemi befasuar kur përgjigja ishte niseni urgjent në spitali infektiv sepse ai jeton vetëm me 30% të mushkërisë. Sigurisht kjo na çoi në gjendje të rëndë tek unë e tek ai dhe u nis brenda një orë në Tiranë me oksigjen", tha Zenepja.

"Më besoni gjatë 8 ditëve qëndrimi atje ishte një gjendje ankthi. Unë sinqerisht u thashë fëmijëve që ne duhet të përgatitemi për situatën më të vështirë  sepse e tillë ishte gjendja e bashkëshortit. Gjatë ditëve të para u shtrua në spitalin infektiv, në pavionin e Najada Comos  dhe profesor Kalo dhe deri në ditën e tretë ishte një heshtje. Dhe mjekët më informonin për gjendjen, në ditën e katërt prof. Kalo më thotë se ndryshoi situata për mirë, u mor kthesa drejt jetës. Gjatë 8 ditëve e përballoi mirë qëndrimin atje dhe shpëtoi nga një vdekje e sigurt", vijoi ajo.  

Gazetarja është shprehur se ndjehet në borxh me mjekët e spitalit Infektiv. 

"Një dhimbje, një trishtim të përmasave të mëdha që rrallë herë më ka ndodhur në jetë. Unë kam pasur një jetë të vështirë, por kur diskutova ikjen e bashkëshortit... madje shkova deri atje që hapa bllokun e shënimeve ku ai kishte lënë amanetet. Më besoni, ndjehem në borxh me mjekët e spitalit infektiv, sepse nuk lejohej të shkoje, të komunikoje me pacientin, është normale, por një zë i tyre mua me jepte shpresë", tha ndër të tjera në intervistën për Report Tv, Zenepe Luka.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?