Shijaku bëhet bashkia e parë në vend që përfundon procesin e rindërtimit: 802 qytetarë marrin shtëpi private

3 Nëntor 2022, 13:26| Përditesimi: 3 Nëntor 2022, 15:14

  • Share

Ditën e sotme ka nisur procesi për shorteun e shpërndarjes së apartamenteve në 31 pallatet e fundit të rindërtuara në Bashkinë e Shijakut, duke e bërë këtë bashki që të jetë e para e cila përfundon rrugën e gjatë të procesit të rindërtimit dhe mbylljen e shpërndarjes së bonuseve të qirasë, pasi tashmë të gjitha familjet do të rehabilitohen në pallatet e rindërtuara në vendet ekzistuese.

Për të pasur një proces sa më transparent, Bashkia Shijak ka ftuar të marrin pjesë në proces përfaqësues nga ministria e infrastrukturës dhe energjetikës, përfaqësues nga prokuroria, policia e shtetit, prefektura, media dhe gjithashtu punonjës nga stafi i bashkisë.

802 shtëpi private, 4 kopshte, 2 shkolla dhe 31 pallate është bilanci i rindërtimit në këtë bashki, i cili tashmë ka përfunduar. Qytetarët i janë drejtuar sallës së Këshillit Bashkiak këtë të enjte për të marrë pjesë në shorte dhe për të tërhequr dokumentacionin e hyrjeve të reja.

Disa prej tyre shprehen të kënaqur pasi me zgjedhjen e shorteut, banesat e përfituara kanë rezultuar të jenë në po të njëjtat kate siç kanë qenë përpara dëmtimit të tërmetit, sikur disa qytetarë të tjerë qëlluan në kate të tjera më sipër atyre që kanë pasur më parë, por që janë shprehur të lumtur dhe se kjo nuk përbën pengesë pasi e rëndësishme është fakti që kanë përfituar banesa të reja dhe të sigurta.

 “Sot është dita ime më e lumtur pasi po përfundojmë një punë aq intensive, jashtë orari dhe gati dy vjeçare e pak muaj me nisjen e procesit të rindërtimit. Kemi përfunduar krejtësisht me procesin e rindërtimit dhe tashmë kjo punë kurorëzohet me shpërndarjen e apartamenteve në 31 pallatet e kësaj bashkie. Me përfundimin e këtij procesi na hapet rruga për të bërë më shumë investime dhe punë për fusha të tjera në Shijak dhe për banorët e tij.”- tha kryetari i Bashkisë Shijak Elton Arbana.

 “Kur ra tërmeti unë u bllokova në shtëpi pasi dyert nuk hapeshim. Ndodhesha në katin e tretë dhe ka ardhur zjarrëfikësja që na ka ndihmuar për të dalë. U zhvendosëm në një tjetër godinë gjatë asaj kohe, pranë familjarit tim, por fati deshi që edhe ato pak rroba që nxorrëm nga banesa e prekur nga tërmeti, të na i merrte përmbytja nga lumi Erzen në banesën e familjarit tim. Fatkeqësi pas fatkeqësie, për herën e tretë u bë shëndeti shkak që unë të kaloja dhe një kalavar tjetër vuajtjesh pasi mu desh të operohesha. Pas këytre tre viteve sot po bëhem me shtëpi po aty ku e kam pasur unë dhe djali dhe nuk ka lumturi më të madhe.”- tha një qytetare.

“Përfitova hyrje dy kate më lartë nga çfarë kam pasur më përpara, por e rëndësishme është që e morëm tani dhe do të jenë pallate të sigurta. Pallatin e vjetër i cili u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit, e kam ndërtuar vetë bashkë me disa banorë nëpërmjet punës vullnetare në kohën e komunizmit. Ishim 10 veta në një derë dhe më duhet të largohesha siç ndodhte në atë kohë, kështu gjatë ditës punonim dhe pasditeve ndërtonim. Materialet, inxhinierin dhe dy ekspertë i siguronte sistemi asokohe, ndërsa punën fizike e bënim ne. Kështu u ndërtua ai pallat për 7 vite, kaluam dhe tërmetet e viteve 70-80, në atë shtëpi, por nuk pati probleme, ndërsa ky i 2019 e shkatërroi. Fatmirësisht atë natë ne ndodheshim në Itali dhe nuk e përjetuam tmerrin. Kur u kthyem mezi kemi hapur derën, por sot të paktën do i gëzohemi një shtëpie të re.”- u shpreh një përfitues apartamenti.

Bashkia Shijak nuk pati viktima nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, çfarë bëri që procesi i rindërtimit të pallateve të dëmtuara dhe shembura të bëhej në të njëjtin vend. Ditët në vijim pritet që ky proces të përurohet dhe nga kryeministri i vendit z. Edi Rama, i cili pritet të vizitojë familjet teksa do të hyjnë në banesat e reja.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lagjia popullore.: 04/11/2022 05:59

    Nuk eshte fare e vertete pasi ska perfunduar asgje. Mund te shkoni te shikoni ne cfar gjendje eshte Shijaku dhe pallatet qe ju po flisni, Shumica skane perfunduar fare dhe infrastruktura e jashte eshte si ne kandahar. Por dhe ky procesi qe thoni i dorezimit eshte nje farse e menaxhuar nga znj. Shpresa Domi e cila po mer lek per cdo gje, njerez te cilet paguaj kte qe i cakton pallatin dhe katin. Gjithashtu te gjith punonjesit e bashkise qe kan zaptuar nje pallat te terin ( nga me te miret ne qender te qytetit) per veten e tyre. Turp.

    Përgjigju
  • cuni: 03/11/2022 21:53

    pallatet duhen te behen 50 m larg njeri -tjetrit,,,ndryshe behen si ne tirane...lesh e li qe nuk ka zot ta f tilloje tiranen...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?