Bashkia e Tiranës njofton se ka nisur disbursimin e subvencionit për transportin publik në kryeqytet. Sipas Bashkisë, për muajin Janar 2022, shoqatat e transportit marrin në total 120 mijë euro, ndërkohë që pagesat do të bëhen çdo muaj në bazë të skemës së subvencionimit. Në njoftim thuhet se shuma totale e subvencionit e miratuar si paketë ndihme për operatorët e transportit publik është 1 milionë euro.
Bashkia njofton se kjo është hera e parë që transporti publik subvencionohet përmes një pakete prej 1 milion eurosh me qëllim përballimin e situatës, por dhe përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Subvencionimi 1 milion euro do të mbulojë periudhën përgjatë gjithë vitit 2022.
Kujtojmë që një ditë më parë, Shoqata e Transportit kërkoi të rritet çmimi i biletës në 80 lekë nga 40 lekë që është aktualisht, ndërsa kanë shkurtuar edhe numrin e autobusëve që nxjerrin çdo ditë në qarkullim. Kjo ka ardhur, sipas tyre, pasi nuk i është ofruar asnjë ndihmë nga autoritetet përgjegjëse.
Më herët, Shoqata e Transportit ka 'kërcënuar' se nëse nuk do i plotësohen kërkesat e tyre (rimbursimi i TVSH dhe i kategorive me aftësi të kufizuar, heqja e akcizës 37 lekë/litër dhe heqja e taksës së qarkullimit në karburant), do të pezullonin punën në 1 mars, por kur kjo nuk ndodhi, kanë marrë një tjetër vendim që ka ndikuar në përditshmërinë e qytetarëve, duke ulur numrin e autobusëve dhe kërkuar rritjen e biletës.