Një vendim i Bashkisë Sarandë për ndryshimin e orarit të furnizimit të dyqaneve duke e kufizuar atë ka nxitur reagimin e bizneseve në zonë. Shoqata e Biznesit në Sarandë i ka dhënë ultimatum Bashkisë Sarandë se nëse nuk do të tërhiqen nga vendimi për kufizimin e orarit të furnizimit të dyqaneve të tyre do të përballen me protesta dhe bllokim rrugësh.
3 ditë më parë Bashkia e Sarandës gjatë sezonit turistik për të shmangur trafikun dhe rritjen e sigurisë së qarkullit në rrugë ka vendosur që të vendosë kufizim të orarit të furnizimit të dyqaneve ku mjetet deri në 3.5 tonë mund të lëviznin gjatë ditës nga ora 12:00-16:00 dhe nga ora 24:00-07:00. Ndërsa për mjetet mbi 3.5 ton qarkullimi do të lejohet nga ora 24:00-07:00. Para këtij vendimi mjetet deri në 3.5 ton nuk kanë pasur kufizim të orarit për furnizimin e dyqaneve të tyre.
Ky kufizim orari konsiderohet nga Shoqata e Bizneseve në Sarandë si i gabuar dhe jo funksional pasi dëmton rënë punën e biznesit të tyre. Bizneset shprehen se kufizimi vetëm me këtë orar pengon kryerjen e shërbimeve në një kohë kur puna është voluminoze gjatë sezonit turistik.
Për këtë Shoqata e Bizneseve Sarandë kërkon revokimin e këtij vendimi dhe konsultimin me grupet e interesit për të gjetur një zgjidhje më të përshtatshme për të gjithë.
Shoqata e Bizneseve në Sarandë kërcënon se nëse kërkesa e tyre nuk dëgjohet do të nisin protestat, do të bllokojnë rrugët kryesore dhe do të pezullojnë punën.