Bashkia Shkodër ka nisur një fazë të rëndësishme investimesh në dy nga institucionet kryesore të jetës kulturore të qytetit: Teatrin “Migjeni” dhe Kinemanë “Republika”. Këto ndërhyrje synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve teknike, pas një periudhe të gjatë ku godinat kishin mbetur jashtë standardeve minimale për funksionim bashkëkohor.
Në kinemanë “Republika”, e rikthyer në pronësi publike prej dy vitesh, është drejt përfundimit një rikonstruksion i plotë që përfshin pajisjen me teknologjinë më të avancuar të projektimit dhe sistemin audio. Investimi pritet ta kthejë atë në një nga kinematë më moderne në vend, me kapacitet për të transmetuar edhe premierat e filmave ndërkombëtarë.
Sipas Egena Zymerit, përgjegjëse e Kinema “Republika”, ky rikonstruksion do t’i japë Shkodrës një hapësirë të denjë për artin filmik dhe një mundësi të re për publikun vendas.
“Po zhvillohet faza e rikonstruksionit, kryesisht në aspektin teknik, në audio dhe projektori. Dua të specifikoj ajo që unë kam përzemër është se do të ruajmë identitetin e kinemasë”, tha ndër të tjera Egena Zymeri.
Ndërkohë, në Teatrin “Migjeni”, janë duke u zhvilluar punimet për përmirësimin e sistemit të kondicionimit dhe infrastrukturës së brendshme. Investimi i Bashkisë Shkodër po realizohet nga Drejtoria e Mirëmbajtjes së Objekteve Publike dhe ka për qëllim krijimin e kushteve më të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe performancave artistike.
Gjozef Kulla, drejtor i kësaj drejtorie, thekson se godinat kulturore përbëjnë një prioritet të veçantë për bashkinë, dhe se puna është përqendruar gjatë muajit gusht për të përfunduar brenda afateve të planifikuara.
"Ka disa muaj që kanë filluar punimet. Kushtet do të jenë komode dhe optimale", tha Gjozef Kulla.
Kalendari artistik pritet të rifillojë në mesin e muajit shtator, ku Teatri “Migjeni” dhe Kinema “Republika” do të jenë të gatshme për të mirëpritur artdashësit shkodranë në ambiente të rikualifikuara dhe me standarde të reja komoditeti.
Komente
