Bashkia e Tiranës njofton se ka ndërmarrë një sërë masash për të lehtësuar qytetarët dhe bizneset nga problematika ekonomike që po shoqëron përhapjen e koronavirusit në vend.
Këto masa kanë të bëjnë me lehtësimin e barrës fiskale që duhet të paguhet në përputhje me ligjin për pushtetin vendor, si dhe me vendimet e Këshillit Bashkiak për detyrimet financiare vendore gjatë vitit 2020.
Me një vendim të Këshillit Bashkiak përcaktohet se subjektet e regjistruara në sistemin informatik të Drejtorisë vendore të Taksave Tiranë përjashtohen nga pagesa e shfrytëzimit të tarifës së zënies të hapsirës publike për muajin Mars-Prill 2020.
Në këtë mënyrë, përfituesit më të mëdhenj janë lokalet private, që shfrytëzojnë zona të caktuara nëpër trotuare apo rrugë publike, ku në këtë periudhë ato janë mbyllur.
Po ashtu, të gjitha subjektet përfitojnë edhe shtyrje të afatit të këstit të pagesës së taksave dhe tarifave vendore, nga muaji Prill për në 30 Qershor 2020.
Ndërkohë, për këstin tjetër që duhet të paguhej brenda qershorit, është vendosur shtyrja e afatit të këstit të pagesës së taksave dhe tarifave vendore për në 31 Gusht 2020.
Në kuadër të marrjes së masave për lehtësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, për shkak të situatës së krijuar nga infeksioni COVID -19, për t´iu dhënë mundësinë të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos humbasin afatet e aplikimit nga programet sociale të ofruar nga Bashkia Tiranë është vendosur gjithashtu të shtyhet afati i aplikimit të muajit mars të fazës së parë për programin social të strehimit “Subvecioni i qirasë”, deri në datën 10 prill 2020.
Po ashtu, Bashkia vendos të shtyjë afatin e aplikimit për të përfituar nga programi “Subvencionimi i interesave të kredisë” deri në datën 17 Maj 2020.
Tabela
Lehtësime të vendosura nga Bashkia Tiranë në fushën e taksave:
Shtyhet afati i aplikimit të muajit Mars të fazës së parë për programin social të strehimit “Subvecioni i qirasë”, deri në datën 10 prill 2020
Shtyhet afati i aplikimit për të përfituar nga programi “Subvencionimi i interesave të kredisë” deri në datën 17 Maj 2020
Përjashtohet pagesa e shfrytëzimit të tarifës së zënies të hapsirës publike për muajin Mars-Prill 2020
Shtyhet afati i këstit të pagesës së taksave dhe tarifave vendore, nga muaji Prill për në fund të muajit Qershor 2020
Shtyhet afati i këstit të pagesës së taksave dhe tarifave vendore të muajit Qershor për në fund të muajit Gusht 2020