TIRANË - Familjet e pastreha në kryeqytet do të kenë mundësi që të përfitojnë subvencionim të interesave të kredisë për blerjen e një banese.
Bashkia e Tiranës njofton hapjen e thirrjes për aplikim në programin e subvencionimit të interesave të kredisë për familjet dhe individët në nevojë për strehim. Kjo vjen falë bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Procesi i aplikimit nis më datën 12 dhjetor 2024 dhe përfundon më datën 13 janar 2025. Të gjithë qytetarët që kanë aplikuar para datës së këtij njoftimi duhet të riaplikojnë në protalin qeveritar "e-Albania" pas shpalljes së njoftimit publik.
Individët/familjet e interesuara duhet të plotësojnë kërkesën për aplikim në portalin qeveritar "e-Albania", duke zgjedhur shërbimin "Kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social".
Aplikimi në sistem duhet të përcaktohet sipas renditjes së formave të trajtimit në bazë të preferencave të aplikantit duke përzgjedhur për t'u trajtuar me strehim nëpërmjet programit Banesë me Kosto të Ulët. Në mungesë të Banesave me Kosto të Ulët ju duhet të zgjidhni Subvencionimin e Interesave të Kredisë.
Faza e dytë (dorëzimi i dokumentacionit) do të vijojë me një njoftim të dytë publik. Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, çdo individ/familje që vetëdeklarohet me paaftësi apo pamundësi aksesi në rrjetin e komunikimeve elektronike, mund të drejtohet pranë njësisë administrative me qëllim asistimin në kryerjen e aplikimit në portalin e-Albania.
Që pas ardhjes së Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, programi i “Subvencionimit të interesave të kredisë”, u rihap sërish pasi ishte mbyllur nga administrata e mëparshme.
Ky program ka në fokus përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve dhe çifteve të reja, të cilat nuk kanë aftësi ekonomike të përballojnë ofertën e tregut të lirë të banesave ose atë të kredive hipotekore në treg. Qëllimi i këtij projekti është mbështetja e familjeve dhe çifteve të reja në blerjen e shtëpive, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre.