Bashkia Tiranë nis nga 1 maji shërbimet online, Veliaj: Heqim përfundimisht 40 sportele

28 Prill 2022, 17:22| Përditesimi: 28 Prill 2022, 18:28

  • Share

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj, ka njoftuar se nga data 1 Maj edhe Bashkia e Tiranës do të nisë ofrimin e shërbimeve online në njësitë administrative. Nga 60 zyra që funksionojnë aktualisht në shërbim të qytetarëve, Veliaj tha se do të mbyllen 40 të tilla dhe do të qëndrojnë të hapura vetëm shërbimet utilitare, të cilat s’mund të ofrohen online, si celebrime, betime etj.

“Do ta shfrytëzojmë çdo ditë, deri në datën 1 Maj, për të komunikuar këtë platformë të re të mbylljes së sporteleve fizike në Bashkinë e Tiranës, të cilat u marrin kohë njerëzve. Shumë prej shërbimeve që ofrohen në to, do të merren online. Dua që secili prej jush të komunikojë në zonën ku shërben si anëtar i Këshillit Bashkiak, për të gjitha këto shërbime, të cilat mund t’I marrë nga shtëpia vetëm me një click, pa qenë nevoja të vish në dyert e bashkisë apo Njësisë Administrative”, u shpreh Veliaj.

Sipas tij, është mëkat që qytetarët të harxhojnë kohë në radhë të panevojshme për shërbime që janë zgjidhur nga teknologjia.

“Koha është ajo që vlen më shumë për secilin prej nesh, është e vetmja gjë që s’mund ta kthejmë dot mbrapsht. Nëse mbledhim orët e radhëve të pritjes në një vit, mund të jenë mjaftueshëm ditë për të bërë shumë gjëra. Por ne i harxhojmë duke pritur në radhë të panevojshme. Tani shërbimet i merr nga celulari,” deklaroi ai.

Veliaj nënvizoi gjithashtu faktin se nuk do të ketë reduktim të numrit të punonjësve në zyrat e shërbimeve, pasi ata tashmë janë trajnuar dhe do të kalojnë për të shërbyer online.

“Ka shërbime të cilat nuk i kryejmë dot online, siç janë për shembull celebrimet martesore, ku duhet të jenë prezentë çifti dhe dy dëshmitarët, kurse shkëmbimi i premtimeve duhet të administrohet nga kryetari i Bashkisë ose kryetari i Njësisë Administrative. Po ashtu, edhe betimi i shtetasve të huaj që marrin shtetësinë shqiptare nuk mund të kryhet online sepse personi duhet të betohet fizikisht para kryetarit të Bashkisë për besnikëri ndaj Kushtetutës të Shqipërisë. Por, marrja e një certificate lindjeje, një certifikatë martesore, një certifikatë e trungut, vërtetime që janë tashmë pjesë e databazës së e-Albania, mund të merren fare lehtë online,” u shpreh ai. 

Kryeministri Edi Rama bëri me dije një ditë më parë se nga 1 maji do të hiqen të gjitha sportelet dhe shërbimet publike do të ofrohen online. Rama tha se asnëj punonjës nuk do të hiqet nga puna, por do të bëjnë një tjetër lloje pune tashmë. Nga 1 maji, ata nuk do të kenë më përballë qytetarët, por vetëm aplikimet e tyre.

Dokumentet që do të ofrohen online nga 1 Maji nga zyrat e gjendjes civile janë:

1.            Certifikatë personale prej 2010 e në vazhdim
2.            Certifikatë  familjare aktuale prej 2010 e në vazhdim
3.            Certifikatë nga akti i lindjes prej 2010 e në vazhdim
4.            Certifikatë nga akti i martesës prej 2010 e në vazhdim
5.            Certifikatë nga akti i vdekjes prej 2010 e në vazhdim
6.            Deklarim i adresës së shtetasve shqiptare që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë
7.            Aplikim për ndryshim/saktësim vendbanimi
8.            Kërkimi i qendrës së votimit (QV)

Ora 18:22
Veliaj i vendosur për Unazën e Madhe dhe rindërtimin tek “5 Maji”: Projektet e Tiranës nuk do të ndalen, opozita bllokoi 3 vite qytetin

 

Projekti i Unazës së Madhe do të përfundojë dhe do të sjellë ulje të trafikut dhe lehtësim të qarkullimit në Tiranë. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se asnjë projekt në Tiranë nuk do të ndalet.

Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për realizimin e projekteve madhore për qytetin, ndërsa theksoi se Tirana nuk ka kohë për të humbur.

“Projekti I Unazës kalon nga sheshi “Shqiponja” në drejtim të Lumit të Tiranës, pastaj kalon Lumin në zonën e Laprakës dhe e ndjek përgjatë Paskuqanit, për t’u rikthyer tek zona e “5 Majit” - ku prapë kemi pasur konflikte të polizituara – mandej kalon në Tufinë dhe lidhet me Farkën. Shkoni pyesni sa është rritur vlera e tokës aty ku kalon gjurma e autostradës. S’ka asnjë dyshim që, sa të jetë Edi Rama kryeministër dhe kjo administratë e bashkisë në Tiranë, projektet nuk do të ndalen”, tha Veliaj.

Ai u ndal dhe tek protestat e opozitës si dhe tek lagjia “5 Maji” në kryeqytet.

“Çfarë do të bëjmë me kohën e humbur? Tre vjet i humbëm te Astiri, kemi një vit që merremi me zonën e “5 majit”. Lagja te “5 maji” do të bëhet dhe kjo nuk diskutohet fare, as nga kërcënimet e çudirat që dëgjojmë sepse nuk ka gjë në botë që e ndal progresin. Në mos ne, do të vijë një gjeneratë tjetër që do thotë: - Tirana do të rritet, kush jeni ju që bllokoni autostradat dhe rrugët? Për të gjitha këto arsye, ftesa për të gjithë qytetarët që preken është: Për sa kohë që marrin kompensimin, për sa kohë që i marrin metrat katrorë një më një, politizimi i këtyre çështjeve me parti që vënë bast ta fitojnë zemrën dhe votat e qytetit duke bllokuar projektet, janë demode. Po të kishte qenë strategji fituese do të kishin fituar ndonjëherë. Ai që urren për arsye politike forcën tonë, banon në një shtëpi që sot vlen më shumë se 7 vite më përpara”, nënvizoi Veliaj.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?