Gazment Bardhi dhe Sali Berisha

Bashkimi bën dobësinë

18 Shkurt, 22:45| Përditesimi: 18 Shkurt, 22:56

  • Share

Një benz i zi hyn në selinë e PD ku ushtron aktivitetin “Rithemelimi” i Sali Berishës. Benza të tillë, dikur në Shqipëri ishin vetëm dymbëdhjetë. I kishin anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH Enver Hoxha, Adil Çarcani, Abdyl Këllezi, Beqir Balluku, Haki Toska, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Rita Marko, Spiro Koleka, Kadri Hazbiu, Petrit Dume, Pilo Peristeri. (Lenkat erdhën më pas, sic erdhi Bardhi tek gardhi).

Nga makina, zbret Gaz Bardhi. I çliruar nga kompleksi se mos në zyrë është Sali Berisha, ai duket i relaksuar, gati gati triumfator. I duket sikur është vetë Saliu. Nuk i hyn në sy as Noka, koherent në qëndrimet e veta, i cili në ditët e përplasjes së madhe me hunj e gurë e varre’, ç’nuk i pat thënë atij, gjer tek: “mos të të shoh në ambientet e PD se do kesh pasoja. Gazi ndërkohë, i kujtoi Nokës se “je miku i Kastratit, fsheh vilën e padeklaruar 760.000 euroshe, je miku i trafikantit të drogës që kur ishe ministër i brendshëm mbyti Britaninë me drogë e mori në qafë edhe Sali Berishën” etj, etj.

Kjo me pak fjalë ishte panorama e asaj që u trumpetua si bashkimi i PD. Ajo ka për simbolikë pikërisht hyrjen e Gaz Bardhit në selinë nga ku e përzunë me përdhunë. Simbolikë më të paqenësishme, më të vrazhdë e më butaforike zor se mund të gjesh. Një komedi e vërtetë, për ta patur zili edhe korifejtë e kësaj gjinie.

Komedi në fakt, që politikisht sot dhe nesër me votë, mund të shkaktojë “tragjedinë” politike të grupimit politik të ashtuquajtur “të bashkuar”.

Qysh në klasat e fillores, “bashkimi bën fuqinë” është memorizuar nga cdo shqiptar, i madh e i vogël. Një tregim i shkurtër me një skicë që portretizonte Skënderbeun, heroin kombëtar të shqiptarëve kur thirri princat dhe u tregoi një tufë thuprash.

Përtej kësaj simbolike, thuprat dhe deputetët e Gazit nuk janë e njëjta gjë. Sepse thuprat kanë një avantazh krahasuar me Gazin e shokët. Thuprat nuk flasin, Gazi flet. Dje fshikullonte Saliun “Berisha është baba i Zenit”, sot i shkon poshtë ballkonit ti garantojë besnikëri; dje akuzon Flamurin se fsheh vilën 760 mijë euro në Lalës, sot del përkrah Nokës të bindë qytetarët se janë të bashkuar. Problemi i bashkimit në kushtet dhe rrethanat ku ndodhen sot demokratët duhet trajtuar në një concept më konvencional. Do të ishte koncept shumë cinik të shpallësh, siç thotë Bardhi, bashkimin e PD vetëm pse ai dhe disa të tjerë u bashkuan dhe njohën kryetar Saliun.

Partia është një concept që e tejkalon kryetarin, deputetin, sekretarin. Partia janë njërëzit që bashkohen vullnetarisht jo thjeshtë rreth njerëzve, por rreth ideve, të cilat ata besojnë se do të kenë edhe benefite për vetë ata. Përtej tyre, pra anëtarëve me kartë anëtarësie, janë mijëra e mijëra të tjerë që liderët dhe udhëheqësit duhet ti bindin të përqafojnë platformën e tyre të ideve.

Nuk ekziston dhe nuk hyn në punë rregulli matematikor i “treshit” në politikë. Pra, meqë Gaz Bardhi dhe disa deputetë ikën tek Rithemelimi i Berishës dhe meqë “baba i Zenit” e pranoi në gjirin e vet Gazin, i bie që partia u bashkua. (Po të ishte për “rregull treshi”, do ti binte që me këtë rrëgull, kur Kastriot Islami u bashkua me Saliun në PD, të merrte me vete dhe socialist të tjerë. Në fakt, nuk mori asnjë të tillë, madje Saliut i ikën edhe disa përkrahës që kishte). Jo, sepse partia nuk është as Saliu, as Bardhi, por janë mijëra e mijëra votues që ende sot nuk e dinë se çpo ndodh me partinë e tyre. Demokratët janë në dilema serioze dhe në një inflacion të rëndë besimi në lidershipin e tyre. Pothuajse në analogji me “rastin Islami” është edhe “rasti Bardhi”. Pyetjet që shtrohen janë të shumta, po përgjigjet janë të thjeshta. Kush e ktheu PD nga një kështjellë lirie e hambar votash në një haur ku shpresa kërkohet me qiri?! A besoni në politikanë hipokritë që ç’thonë sot nuk thonë nesër e që pasnesër lëpijnë pështymën që hodhën nesër?! A e dinë politikanët se e shkuara gjithnjë ju ndjek nga pas si një hije e zezë dhe votuesit do t’ju konsiderojnë si “heretikë”?!

Vendi ka nevojë për opozitë serioze, jo opozitë arkaike, pa vizion! I vetmi vizion i opozitës ka mbetur “të krrejë Ramën”, refren prej 13 vjetësh.

Përfundimisht, Gazi shkoi tek Saliu. Po pastaj? A u bashkua PD kur vulën e ka Luli, selinë me qera Saliu, logon prap Luli? Nëse Rithemelimi që ka shumicën e demokratëve ka zgjedhur si simbol të bashkimit Gaz Bardhin, atëherë ky nuk është bashkim, por dobësim. Demokratët e thjeshtë nuk besojnë në zgjedhjet “as mish as peshk”, edhe kur këto zgjedhje bëhen herë mish, herë peshk.

Partia është materie!

Gazrat toksikë e ndotin atë!

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?