Presidenti Bajram Begaj

Politikë

‘Bashkimi bën fuqinë’, Begaj kujton 581-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës: Mesazhi historik i atij Kuvendi se ka humbur kurrë vlerën

2 Mars, 08:49| Përditesimi: 2 Mars, 15:44

  • Share

Presidenti Bajram Begaj, përkujtoi sot 581-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, dhe prijësin e saj, heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, duke risjellë në vëmendjen e të gjithë shqiptarëve se mesazhi historik i Kuvendit të Lezhës, “Bashkimi bën fuqinë”, nuk e ka humbur kurrë rëndësinë e tij.

“581 vite më parë, nën udhëheqësinë e Gjergj Kastriotit, u mbajt Kuvendi i Lezhës, i cili shënoi krijimin e një aleance të fuqishme politike e ushtarake për t’iu kundërvënë pushtimit e mbrojtur trojet e të parëve.

Mesazhi historik që vjen nga Kuvendi i Lezhës, “Bashkimi bën fuqinë”, nuk e ka humbur asnjëherë vlerën dhe rëndësinë e tij. Shqipëria bëhet më e fortë, më e sigurt dhe më e begatë nga kontributi i gjithësecilit, nga bashkimi i  energjive pozitive të të gjithë shqiptarëve, kudo ata janë”, - shkroi Presidenti Begaj në llogarinë e tij në rrjetin social në facebook.

E mbajtur në katedralen e ‘Shën Kollit’ në Lezhë më 2 mars 1444, Besëlidhja e Lezhës ishte një aleancë ushtarake mes princave arbërorë të kohës me qëllim formimin e një boshti të fortë kundër perandorisë osmane që kërcënonte ekzistencën e shqiptarëve.

Në Kuvendin e Lezhës u mblodhën principata shqiptare nga veriu në jug, ku më të rëndësishmet ishin Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiat, ndërsa nga pikëpamja ballkanike në të mori pjesë dhe princi i Malit të Zi. Kuvendi vendosi komandant të përgjithshëm të Lidhjes Gjergj Kastriotin Skënderbeun, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak.

Që prej këtij bashkimi udhëheqësi legjendar rriti rezistencën e ushtrisë së tij dhe drejtoi luftën për 25 vjet me radhë kundër pushtimit otoman. Kuvendi realizoi Besëlidhjen e madhe shqiptare, që i dha jetë shtetit më të fuqishëm mesjetar të Arbërit, ku u farkëtua shpirti i arbërve dhe identiteti  ynë kombëtar .

Ora 16:41
581-vjetori, Spiropali: Mësimet e Besëlidhjes së Lezhës, aktuale edhe sot

1740930431_spf.JPG

Foto: Elisa Spiropali

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka përcjellë një mesazh me rastin e Kuvendit të Lezhës.

Ajo shprehet se kjo është një nga ngjarjet historike të vendit tonë.

“Themelimi i Kuvendit të Lezhës mbajtur në 2 mars 1444, i njohur edhe si Besëlidhja e Lezhës, është një nga ngjarjet historike kryesore të zanafillës së shtetit shqiptar. Nën udhëheqjen e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, ajo hodhi themelet e bashkimit kombëtar të shqiptarëve kundër pushtuesit të huaj.

Bashkimi politik dhe ushtarak i shqiptarëve përballë rrezikut osman shërbeu si një mesazh i fuqishëm dhe domethënës për të fituar mbështetjen dhe përkrahjen e Papatit dhe Europës", shprehet Spiropali.

Më tej kryetarja e Kuvendit nënvizon se mësimet e kësaj ngjarje janë aktuale edhe në ditët e sotme.

"Mesazhi dhe mësimet e Besëlidhjes së Lezhës janë aktuale edhe sot, kur Shqipëria është vendi kandidat që ecën më shpejt dhe më vendosmërisht drejt Bashkimit Europian, një protagoniste e bashkëpunimit rajonal dhe e udhëheqjes së faktorit shqiptar në rajon, drejt familjes europiane, me të cilën na bashkojnë rrënjët, identiteti dhe e ardhmja”, përfundon Spiropali.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A nxorën primaret e PD-së kandidatët më të mirë për 11 majin?