Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko reagoi ashpër ndaj lëvizjes së fundit të bërë nga Gazment Bardhi dhe deputetë të tjerë që u bashkuan zyrtarisht me Rithemelimin.
Në një lidhje ‘skype’ për emisionin “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, Bejko tha se të njëjtët persona që iu bashkuan Rithemelimit, e kanë mbështetur vazhdimisht duke e inkurajuar në qëndrimet e tij kundër Sali Berishës.
“Në këto kushte, shumica e deputetëve që kanë kaluar nga Foltorja, të gjithë këta kanë qenë njerëz që më kanë inkurajuar për qëndrimet e mia ndaj Berishizmit. Për ndarjen e qartë që duhet të kemi nga e shkuara që i ka bërë dëm Shqipërisë”- u shpreh Bejko.
Mes të tjerash, ai e konsideroi veprimin e Bardhit si një ‘banalitet politik’ duke qenë se deputetët demokratë që iu bashkuan Berishës e kishin akuzuar këtë të fundit për ngjarje si masakra e Gërdecit apo vrasjet e 21 janarit.
“Këta nuk kanë këllqe për të qenë politikanë normale e jo më të jenë burra shteti. Një politikan i qëndron fjalës së tij deri në fund. Mua me Bashën më kanë bashkuar pikëpamjet. Por nëse ndahem nesër nga Basha nuk do shkoj kundër parimeve të mia dhe të zhbëj veten time. Nuk është çështje inati por e një princimi të rëndësishëm në politikë. Ky është një banalitet dhe amoralitet politik. Nuk është lëvizje për interesat e demokratëve. Më mirë që ndodhi kështu që Bardhi e të tjerët u ndanë qqartazi. Nuk ka ndodhur tani, ka më shumë se 1 vit që Bardhi nuk ndihet mirë në grupimin ku është. Ai vetë e tha që zhvendoset për interesa personale sepse një njeri që mendon në një projekt politik dhe mendon se ka dështuar, atëherë dil nga politika nëse je lodhur. T’i lëmë këtu pastaj akuzat e ndërsjellta që i kanë bërë njëri-tjetrit, kur i shof bashkë sot them si ka mundësi që njeriu e zhbën veten në këtë lloj mënyre. Nuk kanë asnjë respekt ndaj publikut shqiptar kur vetë Berisha e akuzoi për vrasës dhe ai e akuzoi si vrasës në Gërdec”- tha nënkryetari i PD.
AI theksoi se Partia Demokratike duhet të ndahet nga e shkuara që përfaqëson Sali Berishën. Duke dhënë detaje për proceset brenda partisë, Bejko tha se PD po përmbyll fazën e zgjedhjeve në nivel lokal dhe së shpejti do të bëjë publike listën e kandidatëve për deputetë.
Ndërsa sa i takon vizitës që Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken do të zhvillojë ditën e nesërme në Tiranë, Roland Bejko e cilësoi këtë si një lajm të mrië për shqiptarët dhe jo si një meritë të qeverisë.
Sipas analistit Flogert Muça vizita që pritet të mbajë nesër në Tiranë Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken është një lajm i keq për Sali Berishën dhe Albin Kurtin.
Në një lidhje skype për ‘Studio Live’ në Report Tv, Muça tha se Kurti është lënë mënjanë pasi nuk ka vepruar në bashkërendim me SHBA-të sa i takon veprimeve të fundit, konkretisht heqjen e dinarit serb nga qarkullimi.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për Shqipërinë por për faktorin shqiptar në Ballkan, jemi komb i ndarë në 4 shtete. Ai vjen në qendrën e shqiptarëve sepse e Sheh Shqipërinë si aleatin më të besueshëm dhe të rëndësishëm ku ka risk që të ketë një tjetër vatër lufte mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo që përbën lajm të keq për Kurtin është se është lënë mënjanë. Sali Berisha, një non-grata, do i theksohet edhe më shumë nesër dhe do i dhembë edhe më shumë kur Blinken të takohet me përfaqësues të SPAK që ai vetë i konsideron ‘grup kriminal’. Këta të dy besoj se do jenë 2 shqiptarët e mërzitur që Blinken vjen në Shqipëri”- u shpreh analisti.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko deklaroi se vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken në Tiranë nuk është ‘rutinë’. Në emisionin “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, Bejko u shpreh se vizita të tilla kanë qenë gjithmonë të rëndësishme jo vetëm për elitën politike por edhe për popullin shqiptar.
“Vizita e sekretarit amerikan të shtetit në Shqipëri duke qenë se kemi të bëjmë me një vend të vogël nuk mund të konsiderohet rutinë por natyrisht të tilla vizita janë si puna e avionit që me sy e shikon tjetër kund dhe zhurma i dëgjohet tjetër kund. Kam përshtypjen se kjo vizitë do jetë e këtyre përmasave.
GJithmonë vizitat e sekre4tarëve amerikanë të shtetit që kanë ardhur në Shqipëri në mos drejtpërdrejtë për elitën politike, ka qenë e rëndësishme për popullin shqiptar. Edhe për faktin që Shqipëria të jetë gjithmonë në agjendën amerikane. Amerikanët, Ballkanin duket sikur e kanë pjesë të politikës së brendshme.
Duan që Shqipëria të dalë nga gropa e gjirizeve të trafiqeve ndërkombëtare dhe t’i kthehet normalitetit. Demokracia e vendeve të rajonit duhet të jetë e garantuar në momentin kur funksionojnë pushtetet. Prandaj është e rëndësishme edhe Reforma në Drejtësi që është bërë në kujdesin e posacëm të SHBA-ve”- u shpreh Bejko.