Bashkitë po mbledhin më shumë para këtë vit se në 2023-shin, ndikuar edhe prej ecurisë pozitive të turizmit, shtimit të ndërtimeve apo edhe prej mbledhjes më shumë të tarifave vendore.
Për këtë arsye në rishikimin e fundit të buxhetit të shtetit, janë rritur pritshmëritë për të ardhurat e pushtetit vendor me 8 miliardë lekë. Po kaq planifikohet të rriten edhe shpenzimet. Në total deri në fund të vitit 61 bashkitë e vendit do të mbledhin 79.3 miliardë lekë, nga 71.3 miliardë lekë që ishte parashikimi i mëparshëm. Po në këto vlera janë edhe shpenzimet.
Nga janari në korrik të ardhurat nga pushteti vendor janë 24.5 miliardë lekë dhe, krahasuar me 7-mujorin 2023 janë +7.3 miliardë lekë ose 42.5% më shumë.
Ndërkohë mënyra se si do të shpërndahet buxheti për bashkitë vitin e ardhshëm pritet të ndryshojë dhe të përshtatet me të dhënat e reja të censit të popullsisë dhe banesave. Për këtë është ngritur grupi i punës mes Ministrisë së Financave dhe asaj të Pushtetit vendor, që do të synojë rishikimin e formulës për transfertën e pakushtëzuar.
Shtysë për këtë janë të dhënat e reja të popullsisë, ku rezulton se 11 qarqe përveç Tiranës janë me rënie të fortë të popullsisë, ndërkohë 15 bashki numërojnë më pak se 10 mijë banorë (Pustec, Libohovë, Këlcyrë, Fushë-Arrëz, Konispol, Delvinë, Pukë, Memaliaj, Tepelenë, Kolonjë, Përmet, Dropull, Himarë, Poliçan dhe Selenicë).
Ndërkohë që vetë shpërndarja e buxhetit për bashkitë bazohet tek treguesit e numrit të popullsisë, dendësisë së popullsisë dhe numrit të nxënësve. Në formulën e re të ndarjes së buxhetit që qeveria po diskuton, pritet të përfshihet edhe dhënia e granteve në bazë të performancës së bashkisë.
Për këtë viti transferta e pakushtëzuar që i është shpërndarë bashkive është 36.5 miliardë lekë, dhe brenda kësaj vlere është përfshirë edhe kostoja për rritjen e pagave.