Ekonomi

Bashkitë ‘rrudhin’ dhe investimet, në 8 muaj mblodhën 22 mln € më pak se në 2024! Qeveria: Formula e transfertës do ndryshojë

5 Tetor, 17:02| Përditesimi: 5 Tetor, 17:11

  • Share

Bashkitë po mbledhin më pak taksa e tatime se vitin e kaluar. Në 8 muajit e këtij viti thotë Ministria e Financave të ardhurat e bashkive arritën në vlerën 252.9 milionë euro, në rënie me 22.7 milionë euro në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2024 kur u mblodhën 275.6 milionë euro.

Jo vetëm në krahasim me vjet, por edhe në raport me planin vjetor, nuk janë realizuar të ardhurat e planifikuara me 5.1 milionë euro.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Financave 61 bashkitë e vendit nuk kanë realizuar me 3.4 milionë euro planin për taksën mbi pasuritë e paluajtshme si dhe kanë pasur vështirësi për të mbledhur të gjitha të ardhurat e parashikuara nga taksat lokale. Kurse në raport me vjet rënia më e madhe ka ardhur tek zëri i taksave dhe tatimeve lokale, pavarësisht aktivitetit të shtuar turistik.

Jo vetëm për të mbledhur para, por edhe për të shpenzuar, bashkitë këtë vit kanë shfaqur probleme. Për t'u shërbyer qytetarëve dhe për të investuar bashkitë harxhuan 516 milionë euro ose 46.6 milionë euro më pak se plani. Praktikisht në emër të çdo qytetari bashkitë kanë shpenzuar 214 euro gjatë tetëmujorit të këtij viti.

Për shkak të problemeve në të dyja anët e medaljes si në mbledhje ashtu edhe në shpenzim parash, qeveria parashikon që brenda 2027-ës të bëhet një ndarje e re territoriale. Ndarja e Shqipërisë në 61 bashki u bë me reformën  administrative-territoriale të 2014-ës, por mesa duket nuk i ‘shëroi’ të gjitha plagët e pushtetit vendor.

Po ashtu në programin qeverisës është parashikuar rishikim i formulës së transfertës së pakushtëzuar për bashkitë që sot ndahet në bazë të numrit të popullsisë, dendësisë dhe numrit të nxënësve, por edhe duke u bazuar në funksionet e njësisë për arsimin, vaditjen, administrimin pyjor, mbrojtjen nga zjarri apo rrugët rurale. Po ashtu në program është parashikuar edhe fuqizim më i madh i grantit të performancës.

Për të mobilizuar financiarisht bashkitë do të shtohen edhe burimet njerëzore të kualifikuara. Kështu qeveria thotë se do të krijojë Akademinë e Pushtetit Vendor si një qendër trajnimi dhe zhvillimi për mbi 4 mijë punonjës vendorë.

TË ARDHURAT E BASHKIVE
Janar-Gusht 2024      275.6 mln euro
Janar-Gusht 2025      252.9 mln euro
Diferenca                   -22.7 mln euro
TË ARDHURAT E PUSHTETIT VENDOR
Plani 8-mujor            258 mln euro
Realizimi 8-mujor     253 mln euro
Diferenca                     -5 mln euro
SHPENZIMET E PUSHTETIT VENDOR
Plani 8-mujor            562.6 mln euro
Realizimi 8-mujor        516 mln euro
Diferenca                   -46.6 mln euro

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD pritet të mbështesë kandidatë të pavarur në 6 Bashki, si e vlerësoni?