TIRANË - Besëlidhja në basketboll për meshkuj është shpallur kampion në Superligë. Lezhjanët e drejtuar nga Afrim Bilali mposhtën për herë të tretë Teutën në serinë e finaleve dhe mbeten në fronin e këtij kompeticioni, pasi një sezon më parë shijuan trofeun e parë në elitë.
Në Pallatin e Sportit ‘Asllan Rusi’ në kryeqytet, Besëlidhja e ktheu në festë të enjten mbrëma duke ‘dërrmuar’ 134-64 Teutën, që edhe në dy ndeshjet e para kishte humbur me rezultat të thellë (132-68 dhe 71-123).
Në parket Besëlidhja nuk kishte rivalë gjithë sezonin, gjë që e tregoi edhe në finalet e play-off. Sfida e fundit i pa lezhjanët që të dominonin në të katër periodat. Çerekun e parë Besëlidhja e mbylli 35-20, të dytin 31-16, për të mbyllur pjesën e parë me 30 pikë epërsi.
Edhe në çerekun e tretë lezhjanët fituan 42-16, ndërsa në periodën e fundit dominuan 26-12, për të mbyllur ndeshjen me rezultatin final 134-64. Më i miri i përballjes u shpall Marvin Prodan ii Besëlidhjes me 31 pikë.
Komente
