DURRËS - Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj është në fazën e finaleve play-off, aty ku do mësohet skuadra kampione. Pas fitores në ndeshjen e parë, Besëlidhja fitoi edhe duelin e dytë kundër Teutës.
Këtë herë në Pallatin e Sportit "Ramazan Njala" në Durrës, ekipi i Afrim Bilalit fitoi 75-91, duke vendosur "një dorë" te titulli kampion, për ta çuar serinë e finaleve play-off në 2-0 për lezhjanët.
Ndeshja - Përballja në parket u dominua nga Besëlidhja, e cila fitoi në të katër periodat. Çereku i parë u mbyll 18-21, ndërsa ai i dytë 17-21. Edhe pjesa e dytë nisi 18-24 për lezhjanët, ndërsa çereku i katërt 22-25 për rezultatin final 75-91.
Te Teuta Elian Memçaj ishte më i miri me 20 pikë e tetë kërcime në tabelë, ndërkohë që për Besëlidhjen Julian Hamati shënoi 19 pikë, Philbert Ualton Ueekes dhe Alexander Cary Calduell nga 14 pikë.
Me serinë e finaleve 2-0 në avantazh, Besëlidhjes i duhen edhe dy fitore për të marrë titullin kampion në basketboll. Kujtojmë se seritë e finalave janë me shtatë ndeshje, teksa ajo e radhës (e treta) zhvillohet më 22 maj 2024 në orën 18:00 në Parkun Olimpik "Feti Borova" në kryeqytet.