Partizani është ekipi fitues i Ligës Unike në basketboll për femra. Zhvilluar në Pallatin e Sportit në Vlorë, Partizani ka fituar në finale ndaj Flamurtarit në shifrat 72-62. Të dyja ekipet fituan të drejtën për të luajtur në finale pasi në ndeshjet gjysmëfinale, Flamurtari mposhti Prishtinën dhe Partizani mundi Bashkimin e Prizrenit.
Në takimin final të luajtur mbrëmjen e së enjtes, Partizani ka luajtur me qartësisht duke krijuar avantazh që në periodën e parë, ndërsa ka vijuar të thellojë kryesimin dhe mbyllur pjesën e parë në shifrat 42-33. Me rikthimin pas pushimit, Flamurtari kërkon të barazpeshojë në lojën e vet, por lojtaret e huaja të Partizanit kanë treguar cilësi duke arritur të mbyllin 10 minutat e treta në shifrat 56-43.
Edhe në periodën e fundit ka patur emocione, me Flamurtarin që afrohet deri në tre pike, por Partizani administron më qetësisht dhe fiton në fund me shifrat 72-62. Pas ndeshjes u zhvillua edhe ceremonia finale me dhënien e trofeut nga presidenti I FSHB Avni Ponari dhe të pranishëm nga Federata e Kosovës, ndërsa emocionet janë te ekipi i Partizanit, por natyrisht ka mërzitje dhe keqardhje te Flamurtari që këtë sezon humbet finale e parë të zhvilluar, pasi deri tani ka fituar Kupën e Federatës, Superkupën mbarëkombëtare dhe Kupën e Shqipërisë.
Presidenti I FSHB Avni Ponari ka vlëresuar faktin që ky kompetcion në vitin e tij të dytë është organizuar në Shqipëri dhe në Vlorë duke uruar edhe skuadrën fituese.
'Final Four' e Ligës unike ul kështu siparin me Partizanin fituese në finale ndaj Flamurtarit, ndërsa për vendin e tretë është shpallur ekipi i Bashkimit të Prizrenit, që ka fituar përballë Prishtinës në shifrat 68-63.