TIRANË - Kombëtarja shqiptare U-18 në basketboll për meshkuj ka përfunduar me fitore fazën e grupeve në Kampionatin Europian, Divizioni C. Të besuarit e trajnerit Klaudio Ndoja triumfuan ndaj Andorrës me rezultatin 68-57, duke u renditur në vendin e tretë. Tanimë kuqezinjtë do garojnë në promovimet për vendet 5 deri në 8.
Kuqezinjtë dominuan pjesën më të madhe të takimit, zhvilluar të enjten në Parkun Olimpik "Feti Borova", duke ndërtuar epërsinë që në pjesën e parë, ku shkuan në pushim me rezultatin 31-17. Me lojtarë si Nilo dhe Sinani në formë të mirë, avantazhi u thellua në periodën e tretë në 53-34, për të mbyllur sfidën me një fitore bindëse dhe diferencë prej 11 pikësh.
Me këtë rezultat, Shqipëria mbyll fazën e grupeve me dy fitore dhe dy humbje. Në bazë të pikavarazhit, tanët nuk mundën të renditeshin të dytët dhe do garojnë për vendet 5 deri 8 në promovim.
Komente
