Basketbolli në Shqipëri ka zhvilluar dy ndeshjet e para për fazën play-off të gjysmëfinaleve. Në Durrës, Teuta ka humbur me Tiranën dhe në "Asllan Rusi" Besëlidhja fitoi me Kamzën.
Në Pallatin e Sportit "Ramazan Njala", Teuta humbi 71-83 kundër Tiranës. Bardheblutë e Erkand Karaj dominuan takimin, duke shkuar deri në avantazhin +25 pikë në një çast të ndeshjes. Perioda e parë u mbyll 10-22, teksa në pushimin e ndeshjes tabela shënonte 28-39. Perioda e tretë u fitua 14-26, teksa durrsakët fituan në çerekun e fundit 29-18, teksa në fund fitorja ishte për miqtë bardheblu.
Besëlidhja fitoi jo pa vështirësi 96-89 kundër Kamzës. Të besuarit e Afrim Bilalit e mbyllën sezonin e rregullt në vendin e parë, duke bërë edhe detyrën në ndeshjen e parë gjysmëfinale. (26-15, 27-27, 21-20, 22-27) u mbyllën periodat në parketin e "Asllan Rusit", teksa ndeshjet e kthimit do zhvillohen në 13 prill.
Gjysmëfinalet:
9 prill
Teuta 71-83 Tirana
Besëlidhja 96-89 Kamza Basket
13 prill
Kamza - Besëlidhja 18:00
Tirana - Teuta (19:00) 'Farie Hoti'