Basketbollisti grek Giannis Antetokounmpo dhe familja e tij u bënë shënjestër e kërcënimeve me vdekje nga tifozët turq pas gjysmëfinales së Eurobasket 2025, ku Turqia mposhti Greqinë. Ky incident e zbehu atmosferën e gëzimit për medaljen e bronztë që basketbollisti grek arriti nën drejtimin e trajnerit Vassilis Spanoulis, e para medalje ndërkombëtare e tij në një garë të madhe.
Sipas medieve greke, mesazhet që morën Giannis dhe bashkëshortja e tij, Maria, ishin jashtëzakonisht shqetësuese. Një nga kërcënimet thoshte: “Do ta vrasim të gjithë familjen tënde. Do të kesh frikë kudo që të shkosh”.
Maria e publikoi mesazhin në rrjetet sociale, duke reaguar: “Kjo lloj sjelljeje është e papranueshme. Shpresoj që ata që dërgojnë mesazhe të neveritshme familjes sime të jenë krenarë për veten e tyre.”
Pas ndeshjes për medaljen e bronztë, Giannis postoi një video festive në Instagram, por komentet u mbushën me flamuj të Turqisë, gjë që e irritoi basketbollistin. Ai reagoi: “Për hir të Zotit, hiqini mënjanë ato flamuj turq”, një deklaratë që mediat turke e interpretuan si fyerje ndaj simbolit kombëtar, duke shkaktuar polemika të gjera në opinionin publik.
Për të qetësuar situatën, basketbollisti grek postoi ditën e martë një foto me yllin turk, Alperen Sengun, duke shkruar se luajnë për vendet e tyre, por me respekt për secilin, duke u përpjekur të neutralizojë tensionet pas gjysmëfinales së ngarkuar emocionalisht.
Komente
