Vetëm 6 ditë para zgjedhjeve të 11 majit, Edi Rama kryeson bindshëm si kandidati me më shumë gjasa për të qenë Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, sipas platformës ndërkombëtare të tregjeve të parashikimit, Polymarket. Në këtë platformë, që funksionon mbi teknologjinë blockchain dhe grumbullon pjesëmarrës nga e gjithë bota, Rama vlerësohet me 97 për qind mundësi për të fituar garën.
Polymarket është një treg alternativ ku përdoruesit blejnë aksione financiare për rezultatet e mundshme të ngjarjeve reale, përfshirë edhe zgjedhjet politike. Ndryshe nga sondazhet ku njerëzit shprehin mendim, në Polymarket njerëzit vendosin para të vërteta për atë që besojnë se do të ndodhë. Sa më shumë që një kandidat mbështetet me fonde reale, aq më shumë rritet probabiliteti i tij në platformë.
Sipas të dhënave, Edi Rama jo vetëm që mban pozicionin e parë me një diferencë të thellë, por është edhe kandidati për të cilin është investuar më shumë para, mbi 78 mijë dollarë deri më tani. Pas tij renditet Sali Berisha, me vetëm 2 për qind të gjasave dhe një investim prej rreth 32 mijë dollarësh.
Të gjithë kandidatët e tjerë renditen me më pak se 1 për qind shanse, përfshirë Arlind Qorin, Ilir Metën, Dashamir Shehin, Agron Shehajn, Lulzim Bashën, Tom Doshin dhe Adriatik Lapajn, për të cilin janë investuar më pak para. Megjithatë, për disa prej tyre janë investuar shuma të konsiderueshme, që tregon se kanë ndjekës të vendosur, por që tregu global i sheh si kandidatë të pamundur për të fituar këtë garë.
Mekanizmi i funksionimit të platformës është i thjeshtë: nëse dikush blen aksione për një kandidat me çmim të ulët dhe ai fiton, fitimi është i madh. Por në rastin e Ramës, aksionet kushtojnë rreth 97.6 centë, që do të thotë se fitimi për çdo dollar të investuar do të ishte minimal, sepse probabiliteti i fitores së tij konsiderohet shumë i lartë.
Si funksionon blerja në Polymarket?
Përdoruesit blejnë aksione “Yes” ose “No” për secilin kandidat. Çmimi i një aksioni “Yes” për Edi Ramën është 97.6 centë, çka do të thotë se për çdo $1 të investuar, fitimi neto do ishte vetëm 2.4 centë nëse ai fiton.
Ndërkohë, blerja e një aksioni “Yes” për Arlind Qorin kushton vetëm 0.1 centë, nëse ndodh një përmbysje e madhe dhe ai bëhet kryeministër, përdoruesi do të merrte $1 për çdo aksion të tillë, pra një fitim i jashtëzakonshëm, por me rrezik të lartë.
Çfarë është Polymarket?
Polymarket është një nga tregjet më të njohura të parashikimeve në internet, i ndërtuar mbi rrjetin blockchain Polygon, ku përdoruesit mund të blejnë "aksione" mbi rezultate të mundshme të ngjarjeve reale. Kur parashikimi rezulton i saktë, përdoruesi fiton para. Ndryshe nga sondazhet klasike, Polymarket nuk pyet njerëzit se për kë do të votojnë. Ai i lejon ata të vendosin para mbi rezultatin që mendojnë se do të ndodhë.
Tabela e tregut të parashikimeve në Polymarket për zgjedhjet në Shqipëri
Komente
