Ursula von der Leyen dhe Donald Trump

Bota

Basti i Ursula von der Leyen, marrëveshja për tarifat doganore do të rinegociohet pas zgjedhjeve të ardhshme në SHBA

28 Korrik, 07:50| Përditesimi: 28 Korrik, 07:54

  • Share

Ta rishikojmë gjithçka kur Donald Trump të mos jetë më në Shtëpinë e Bardhë. Mjaftonte të shihje shikimin e Ursula von der Leyen pas takimit me presidentin amerikan për të kuptuar se marrëveshja për tarifat doganore nuk përfaqësonte “më të madhen që është arritur ndonjëherë”, siç e përshkruan miliarderi. Më saktë, bëhet fjalë për një marrëveshje të diktuar nga rrethanat. Por me një strategji daljeje: viti 2028. Atëherë kur do të përfundojë administrata aktuale amerikane.

Në fakt, jo të gjitha qeveritë e 27 vendeve anëtare të BE-së janë të kënaqura me marrëveshjen e arritur në Skoci. Franca e Emmanuel Macron, për shembull, nuk e ka pritur aspak mirë atë që shumë e përshkruajnë si një “dorëzim” përballë aleatit amerikan. E njëjta gjë vlen edhe për Spanjën e Pedro Sánchez.

Presidentja e Komisionit e di këtë shumë mirë. Dhe për këtë arsye e ka quajtur marrëveshjen “maksimumi që mund të arrihej”. Duke lënë të kuptohet se askush në Kontinentin e Vjetër nuk mund të jetë vërtet i kënaqur dhe se rezultati i vetëm konkret do të jetë njëfarë stabiliteti për tregjet dhe prodhuesit. I vetmi argument që ka bindur partnerët më skeptikë ka qenë pikërisht mundësia për të rihapur çdo gjë pas tre vitesh. Pjesa më e madhe e marrëveshjeve sektoriale ka afat trevjeçar. Kështu që, kur mandati i Trump të përfundojë, BE-ja do të hapë sërish diskutimin.

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që evropianët kanë përdorur këtë taktikë. Muajin e kaluar, gjatë samitit të NATO-s në Holandë, ku u përcaktuan objektivat e reja të shpenzimeve për mbrojtjen, të gjithë – përveç Spanjës për arsye të brendshme politike – pranuan objektivin prej 5% të PBB-së të vendosur nga Presidenti i SHBA-së. E pranuan duke e ditur se në vitin 2035 Trump nuk do të jetë më në pushtet. Dhe me bindjen se shumë vende – përfshirë Italinë dhe Francën – nuk do të jenë aspak në gjendje ta përmbushin këtë angazhim. Një argument që u diskutua disa herë ato ditë me kryeministrin spanjoll Sánchez në përpjekje për ta bindur të mos tërhiqej nga deklarata përfundimtare në Hagë.

Në mënyrë të heshtur, të njëjtën strategji e përdori edhe Ursula von der Leyen. Të kënaqte tekat e presidentit amerikan për të shmangur një luftë tregtare dhe, njëkohësisht, të caktonte një kufi kohor. Sepse përndryshe, “paqja” do t’i kushtonte shumë shtrenjtë Bashkimit Evropian në planin afatgjatë dhe do të përbënte një disfatë politike për të.

Mjafton të mendosh për blerjet e gazit të lëngshëm që janë rënë dakord. Trump foli në mënyrë të përgjithshme për blerje nga BE-ja me vlerë 750 miliardë dollarë. Por ai nuk specifikoi se bëhet fjalë për një shpenzim trevjeçar dhe jo vjetor. Dhe përndryshe nuk mund të ishte vetëm për një vit, sepse Bashkimi Evropian në vitin 2024 ka shpenzuar 375.9 miliardë euro për gjithsej produktet energjetike të importuara nga jashtë.

Nga tani deri në tre vjet, negociatorët evropianë kanë vënë bast edhe mbi faktorë të tjerë. I pari, i përmendur edhe nga presidentja e Komisionit, bazohet në zhvillimin e aleancave të tjera tregtare globale: nga Amerika e Jugut në Azi. Dhe në parashikimin se shumë nga marrëveshjet e nënshkruara nga Trump do të duhet të rinegociohen sepse janë të pazbatueshme. Në thelb, në planin afatmesëm parashikohet një probabilitet i lartë i një reagimi nga tregjet.

Aspekti tjetër, që konfirmon horizontin kohor të vitit 2028, lidhet me borxhin publik amerikan. Kur miliarderi përmend investimet, në takimet e ndryshme ai ka përmendur gjithmonë edhe obligacionet shtetërore. Aktualisht, një e treta e tyre janë në duar të huaja dhe pjesa më e madhe zotërohet pikërisht nga BE-ja.

Ka shumë të ngjarë që gati 2,800 miliardë dollarë në bono thesari që ndodhen në arkat evropiane të rriten gjatë muajve në vijim. Dhe, për koincidencë, rreth një e katërta e të gjithë borxhit publik amerikan skadon pikërisht deri në vitin 2028. Një sërë rrethanash, pra, që i kanë ndihmuar Ursula von der Leyen t’ua “gëlltisë” partnerëve të saj një marrëveshje me një seri pasojash tepër të rënda. Të cilat, megjithatë, mund të rikthehen në tavolinën e negociatave pas tre vitesh. Në një kontekst politik të ndryshëm në SHBA dhe në një realitet ekonomik botëror të transformuar. Dhe në fund të këtij trevjeçari, presidentja e Komisionit do të jetë ende e ulur në Pallatin Berlaymont.

Të njëjtën siguri do ta ketë edhe bashkëkombasi i saj, kancelari gjerman Merz, ndërsa qeveritë e vendeve të tjera kryesore anëtare do të duhet më parë të përballen me testin elektoral: nga Macron (i cili as nuk do të mund të rikandidojë) te spanjolli Sánchez, e deri te Italia e Giorgia Melonit./La Repubblica

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Politika: 28/07/2025 10:24

    Politika e jashtme e EU ka marre fund , Shqipëria ben mire te mos kerkoje fare antarsim ne EU , ska çduhet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?