Batalionin e Parë Partizan, shkodranët e “pagëzuan” me emrin e djaloshit nga Labëria

28 Mars 2023, 19:57| Përditesimi: 28 Mars 2023, 20:10

  • Share

Kujtoj një bisedë të hedhur nxitimthi në bllokun e gazetarit. Bisedë me veteranë e pasardhës të tyre nga Shkodra, e cila kulmoi me ‘97-ën zezonë kur ca antishqiptarë donin të mbillnin përcarjen Veri-Jug. Një tabor me mercenarë të rekrutuar nga SHIK-u i Gazidedes, të përdorur djallëzisht mbi revoltat rebele antipiramidale në Lushnjë, Vlorë etj., nuk mund të përfaqësojë kurrsesi popullin patriot e atdhedashës të Veriut të Shqipërisë. Historikisht kështu !

-Fjala vjen, a e di ti miku ynë se gjatë Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare, i pari Batalion Partizan në qarkun e Shkodrës mori emrin e djaloshit trim nga Labëria, Perlat Rexhepi ? Mos ishte vallë rastësi e rëndomtë a hajgare kafeneje në pazarin e mocëm të qytetit tonë ? Se Shkodrës e rrethinave të saj në fushë e malësi, nuk u kanë munguar kurrë heronjtë e vërtetë të shqiptarisë, të Lirisë e Demokracisë. Ai djaloshi vlonjat derdhi gjakun e “fali jetën si me le”, pas 4 orë luftimesh kundër 600 milicëve e karabinierëve fashistë dhe jo kundër kultivuesve e përdoruesve të hashashit!

Më mirë flet “Kënga e tre heronjve të Shkodrës”, këngë që do  këndohet në breza. Kolë Jakova mendjehollë, na la dhuratë vargjet jo dosido…Te ajo shtëpia kala e rrethuar në pabesi, sot e gjithë ditën na duket se shikojmë djaloshin lab tek del si flakadan përmes flakëve nëpër trup (mbetur i vetëm, pasi shtëpisë armiqtë i vunë zjarrin) dhe ku armët e pushtuesit u zbrazën mbi 23 vjecarin idealist. 4 orë luftime, duke patur si municion vetëm 10 bomba dore, 3 revolverë, një pushkë e 50 fishekë ! Si të mos thuhen dy fjalë për këtë emër Heroi të Lirisë ?...

Ishte koha kur nuk kishte kohë për shumë ligjërime apo vaje të nënave  labe mandilezeza në Vajzë të Vlorës. Por Shkodra pas një viti e pagëzoi me emrin e tij Batalionin e Parë Partizan të Qarkut. Sivjet mbush 80 vjet ! Kanë rrjedhur e rrjedhin mjaft ujëra të turbullt. Por gjaku i të rënëve nuk mund të bëhet kurrë ujë. Është një traditë e shkëlqyer tashmë. Megjithëse gjatë Tranzicionit tonë rrumpallë u hodh edhe baltë nga të përbalturit antikombëtarë e zuzarë partiakë të pandreqshëm. Kjo skotë me karakter e personalitet të fëlliqur, bënë dhe bëjnë namin për ta përmbysur historinë e LANC dhe arritën të pushtojnë edhe llogore partiake e parlamentare, duke coroditur e shushatur njerëzit e ndershëm. Vajti davaja ligërshane deri te Dita e Clirimit (!). Po të flasësh për këto faqe heroizmi popullor të udhëhequr nga Partia Komuniste Shqiptare, bllokmenët e sotëm oligarkë të vërviten me të shara e mballoma balliste e zogiste, ose më e pakta të quajnë  “nostalgjik”, “arkaik”, “jashtë kohe”, “të parinovueshëm” etj. etj.

Vlerat e antinazifashizmit janë të patjetërsueshme. Ato i bëjnë nder e aspak qeder vetë qytetërimit Evropian e Perëndimor. Jo rastësisht, emri i Batalionit Partizan “Perlat Rexhepi” u bë shumë shpejt i dashur nëpër Shkodër, por edhe në Plavë e Guci të Malit të Zi, në Malësinë e Gjakovës e në Bujan ku u bashkuan me tropojanë e kosovarë në mbrojtje të Konferencës së mirënjohur. Pa folur më gjatë për rrugën Kukës-Prizren; Shkodër-Koplik; në Vorfë apo në shpartallimin e operacionit nazist “Pik” etj. Se Dëshmorët e Lirisë vetëm bashkojnë dhe nuk futin pyka anadollake e kulpërake.

Sa herë dëgjoj mikun tim të mirë, Reshat Arbana, kur reciton mrekullisht “Hakërrimat” gjithnjë aktuale, pyes : A ka tjetër penë më demaskuese e fshikulluese sesa ajo e poetit të rebeluar, Ali Asllani ?! Bashkëfshatarë me Perlatin, të cilit i këndoi me zjarr zemre. Ish sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së Ismail Qemalit. Ish Kryetari i Parë i Bashkisë së Vlorës. Dhe mbylli sytë përgjithmonë në varfëri, në krahët e ndershmërisë së tij proverbiale. Sepse “Koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqiptarëve !”.

Vargjet-kamzhik të Aliut janë aktuale dhe sot. C’të bëjë njerëzia që verbohet përballë luksit të tyre të shfrenuar e të tërbuar ? Drejtësia (vecanërisht SPAK-u e Prokuroria) ka ende frikë të ngjitet në majat e Politikës laragane të djeshme e të sotme. Dhe njerëzia mërmërin bashkë me aktorin e madh : “Hani, pini dhe rrëmbeni,/ mbushni xhepa, mbushni arka,/ të pabrek’ ju gjeti dreka,/ milioner ju gjeti darka !”.

E vërteta historike nuk mund të interpretohet sipas bindjeve politike apo sipas orekseve partiake për të siguruar ca thasë me vota kallpe. Po kështu, demokraci të vërtetë pa harmoni shoqërore të pastër, nuk mund të ketë. Hajdutët me spaleta zyrtare e politike (djathtas e majtas) i bëjnë gropën mëmëdheut. Në fund të fundit, përgatisin e hapin udhë për diktatura të reja.

T’u ngresh përkujtimore, buste e dekorata shërbëtorëve të poshtër të nazifashizmit dhe njëkohësisht të dëmtosh a shembësh lapidarë e monumente të LANC, emra të ndritur heronjsh e dëshmorësh, nuk është vetëm kthim i historisë kokëposhtë. Dhe as fitore ndaj “nostalgjikëve komunistë”. Shkurt, është përdhosje e krenarisë dhe e dinjitetit kombëtar !

Krenari e dinjitet që shkodranët e shpalosën bukur fiks 80 vite më parë edhe me pagëzimin e paharruar të Batalionit të Parë Partizan, me emrin e labit Perlat Rexhepi. Po fundi i fashistëve italianë në Shqipëri, ku u finalizua ? Në Recin e pathyeshëm të Shkodrës ! Sepse, sic raportonte Prefekti i kohës, “shumica e popullsisë së Recit është bashkuar me forcat partizane”. P.sh. 9 muaj më parë, gjatë luftimeve në shtëpinë e Bejto Faslisë në Doc, u vra në sytë e luftëtarëve vajza e tij e shtrenjtë. Kjo familje me rrënjë të forta atdhetarie, nuk dorëzoi asnjë partizan në duart e pushtuesit. Ose në Domn ku ra Tomë Kola. Komandant e komisar ishin bijtë e Martinaj dhe Vuthaj, Rexhep Haka e Sadik Bekteshi, që i vunë gjoksin stuhisë dhe dëborës frymëmarrëse nëpër Bjeshkët e Nëmuna…

Politizimet shterpa nuk i mjegullojnë dot 137 dëshmorët shkodranë të Atdheut. Më saktë se poeti bashkëfshatar i Perlatit, zor se e thonë të tjerë : “Ju do thoni si të doni,/ po e drejta dërmon hekur !”. Ajo i bën nder Shqipërisë : Tani tinë dhe unë, e dimë për Perlatin/ Djep kishte Beunë, varr ka Rozafatin.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tata: 29/03/2023 08:01

    Nuk ka propogande te neutralizoje gjakun e derdhur per çlirimin nga zaptuesi,sepse esht aty,ne token qe e thithi dhe nuk hiqet dot sado te mundohet njeriu agresiv,medioker e driteshkurter. Toka eshte e shenjte,mbledh gjithmone popujt.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?