Sport

Bayerni tjetër leksion Barcelonës në Champions, surprizohet United, nuk gabojnë Juventus e Chelsea (VIDEO)

15 Shtator 2021, 09:17| Përditesimi: 15 Shtator 2021, 09:51

  • Share

Champions League nis nën shenjën e Bayern Mynih. Bavarezët janë kthyer në makthin e Barcelonës dhe kjo u vërtetua edhe mbrëmjen e djeshme. Në “Camp Nou” gjermanët fituan 3-0 ndaj katalanasve duke marrë direkt kreun e grupit E të Champions. Ndeshjen e zhbllokoi Myler dhe më pas dy herë shënoi Lewandowski. Bayerni i dha leksion Barcelonës ndërsa sfida tjetër e grupit Dinamo Kiev-Benfica u mbyll pa gola.

Juventusi gjen shërim në Champions. Fitorja e parë sezonale për bardhezinjtë vjen në Suedi ndaj Malmo. Juventus mposhti vendasit e Malmo 3-0 dhe ngjitet në krye të grupit H me tre pikë. Italianëve u mjaftoi vetëm një pjesë loje për të mbyllur llogaritë dhe golat u shënuan nga Alex Sandro, Dybala e Morata.

Chelsea e nisi me fitore mbrojtjen e titullit kampion në Champions. Po në grupin H londinezëve u mjaftoi një gol i Lukakut për të thyer Zenitin.

Surpriza e mbrëmjes erdhi nga Zvicra. Young Boys përmbysi Manchester United duke e mposhtur 2-1 në Bernë. Ronaldo shënoi edhe në debutimin në Champions por më pas kampionët e Zvicrës barazuan fillimisht me Ngamaleu dhe golin e fitores e morën dhuratë në minutën e 95-të.

Young Boys kryeson grupin F ndërsa spektakël pati në Villarreal-Atalanta sfidën tjetër. Në Spanjë dueli u mbyll në barazim 2-2 me skuadrat që ndanë nga një pikë.

Në grupin G u bë historia pasi në Sevilla-Salzburg u akorduan jo pak por katër penallti gjatë kohës së rregullt. Andaluzianët e shënuan penalltinë e tyre me Rakitic ndërsa austriakët nga tre që fituan shënuan vetëm një. Ndeshja u mbyll në barazim dhe skuadrat ndanë nga një pikë. Edhe sfida tjetër e këtij grupi Lille-Wolfsburg u mbyll në barazim pa gola.

Përgatiti Andi Kapxhiu

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?