Baza ajrore e NATO-s në qytetin gjerman Geilenkirchen rriti nivelin e sigurisë “bazuar në informacione zbulimi që tregojnë për një kërcënim të mundshëm”, bënë të ditur të enjten në mbrëmje zyrtarë të saj.
“Si masë paraprake, i gjithë personeli thelbësor, por që nuk është me mision është larguar nga baza”, thuhej në njoftimin e publikuar në platformën e mediave sociale X, por pa dhënë më shumë detaje.
"Siguria e personelit është prioriteti ynë kryesor. Operacionet vazhdojnë sipas planit", shtohej më tej në deklaratë.
Një zëdhënës i bazës së NATO-s në Geilenkirchen tha se nuk kishte më shumë informacion sesa ai që ishte publikuar në postim.
Kjo është hera e dytë që baza ku ndodhet flota e avionëve vëzhgues 'AËACS' të NATO-s, rrit nivelin e sigurisë, që pas një incidenti javën e kaluar, kur një bazë ushtarake në Këln që ndodhet aty pranë, u mbyll përkohësisht ndërsa autoritetet po hetonin rreth dyshimeve për një sabotim të mundshëm në furnizimin me ujë të saj.
Në të njëjtën ditë, baza në Geilenkirchen njoftoi gjithashtu për një incident, një tentativë për t'u futur brenda territorit të saj, çka nxiti dhe zbrazjen e plotë të mjediseve.
Në lidhje me dyshimet për sabotazh në bazën e Këlnit, ushtria gjermane tha më vonë, se provat e kryera treguan se uji nuk ishte i ndotur.
NATO ka paralajmëruar në të kaluarën për një fushatë aktivitetesh keqdashëse të organizuara nga Rusia, përfshirë aktet e sabotazhit dhe sulmet kibernetike. Rusia ka akuzuar rregullisht NATO-n se po kërcënon sigurinë e saj.
Në qershor, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se sulmet e fundit ishin rezultat i inteligjencës ruse e cila po bëhej gjithnjë e më aktive.
Disa incidente në vitet e fundit në territorin e NATO-s janë trajtuar si të dyshimta nga ekspertët, mes tyre prerja në vitin 2022, e një kablloje jetike nënujore, që lidhte arkipelagun e Svalbardin me Norvegjinë./VOA