Baze: Arta apo Marsida, është si pyetja: 30 qershori apo 13 tetori?!

10 Nëntor 2019, 22:47| Përditesimi: 10 Nëntor 2019, 22:51

  • Share

Mos u lodhni të kuptoni debatin ligjor që tenton të prodhojë Ilir Meta pasi ai më të qartë se sa Kushtetutën ka objektivin e vet. Objektivi i vet ka të bëjë me mos ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. 

Tre ditë më parë kjo gjë u kuptua qartë. Presidenti refuzoi të dekretojë si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, njërin nga kandidatët e renditur sipas Kushtetutës, nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, duke ngritur pretendime absurde se e ka pezulluar procedurën dhe afatet kushtetuese dhe se do të emërojë kandidatin e tij pasi të plotësojë më parë vakancën Kuvendi.

Pas kësaj sipas Kushtetutës emërohet automatikisht e renditura e para në listën e KED dhe kjo gjë u bë. Arta Vorpsi është anëtare e Gjykatës Kushtetuese nga lista e Presidentit.

Nesër Kuvendi do mblidhet të zgjedhë dy anëtarët e tij për në gjykatë dhe do të kemi një Gjykatë Kushtetuese me pesë anëtarë.

Deri këtu gjithçka është ligjore dhe nuk kemi as tagër ta debatojmë. Ajo që është thelbi i debatit, nuk është rruga ligjore dhe çfarë parashikon Kushtetuta, por strategjia e Ilir Metës për ta lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese, pasi ngritja e Gjykatës Kushtetuese i jep fund mandatit të tij dhe i hap vendit, rrugën për zgjidhjen e gjithë krizave.

Strategjia e Ilir Metës është e parashikueshme. Eshtë e njëjta, pikë më pikë, si ajo e zgjedhjeve të 30 Qershorit. Zgjedhjet e dekretuara në afatin kushtetues, siç e tha më pas dhe Komisioni i Venecias, nuk mund të shtyhen dhe sikur të jetë luftë, pa konsesusin e palëve. Ilira Meta i shtyu për të ndjellë luftën dhe dekretoi 13 tetorin me shpresë se vendi do zhytej në flakë dhe ai do shpëtonte.

Po bën të njëjtën gjë me Gjykatën Kushtetuese. Thotë që nuk e dekretova për 30 ditë, pasi prisja radhën të dekretonte një dhe Kuvendi, ndërkohë që vakanca e shpallur për Presidentin është e ndarë nga vakanca e shpallur për Kuvendin, dhe ky i fundit është brenda afateve edhe nesër. 

E bën këtë që nesër pasi të miratojë Kuvendi dy të vetët, ai të dekretojë anëtare gjykate, Marsida Xhaferllarin, që është renditur e katërta në listën e KED. Nuk po i hyj këtij debatit nepotiko-politik, që është bashkjetuese e një deputeti të PD, as faktit që ajo  është renditur e katërta dhe ligji të detyron të zgjedhësh 3 të parët. Por thjesht faktit që Ilir Meta nuk ka çfarë zgjedh më. Ai ka zgjedhur Besnik Muçin dhe ka konsumuar afatin për të mos zgjedhur asnjë tjetër. Vendi i tij është plotësuar.

Pika 4, neni 7/b i ligjit për Gjykatën Kushtetuese thtoë se: “Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës nga KED, emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës”.

Kaq të drejta ka Ilir Meta. Nuk ka përdorur asnjë prej atyre. Do të zgjedhë të katërtën dhe jashtë afatit, vetëm që të mos ketë Gjykatë Kushtetuese, pasi do t’i kontestohet. E sigurt është që ai do të çojë të keqen deri në fund. Do të zgjedhë edhe jashtë ligjit edhe jashtë listës së rendit. Do të zgjedhë atë që do, për të mos u pranuar, për t’u kthyer në betejë dhe për të përsëritur debatin 30 qershor, apo 13 tetor.

Në këto kushte nuk ka çfarë debaton. Thjesht duhet zgjidhur siç u zgjidh 30 qershori. Shumica duhet të respektojë Kushtetutën, ai le të bëjë sikur respekton Alibeajn, por që në fakt kërkon të mbrojë veten, nga Gjykata Kushtetuese.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?