Baze: Don Kishoti ynë!

2 Korrik 2019, 19:59| Përditesimi: 2 Korrik 2019, 20:01

  • Share

Shqipëria po shkonte drejt 30 qershorit si flutura drejt llampës së ndezur për t’u djegur. Falë presidentit të saj Ilir Meta, i cili ndezi flakën e destabilizmit institucional dhe kushtetues në vend, duke ç’dekretuar zgjedhje, e duke dekretuar të reja, në funksion të axhendës së tij politike, shqiptarët u vunë në presionin e një politike talebane, që i kërcënonte me jetë, nëse dilnin të votonin.

Shumë pak vetë besonin se e diela nuk do të ishte një ditë e përgjakur.

Para nesh u shfaqën talebanë që filluan digjnin shkolla dhe qendra votimesh, ca karagjozë, që u vetëshpallën intelektualë dhe rreshtoheshin si kamikazë për të bërë presion ndaj votuesve, dhe një President që mbante në dorë urën e zjarrit para fytyrës së Shqipërisë, duke e kërcënuar të gjunjëzohej para tij, ose të digjej.

Përballë tij, Kryeministri i vendit, i rezistoi në kufijtë e marrëzisë, presionit, dhe nuk i hapi rrugë çmendurisë. Por ai nuk mund ta shmangte gjakderdhjen. Ai mund të ruante vetëm shtetin.

Shqipërinë e shpëtuan nga gjakderdhja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Europian. Ajo që kanë bërë Shtetet e Bashkuara për 30 qershorin, është një nga mrekullitë që duhet t’i njihet në histori, si rast kur ka shpëtuar Shqipërinë nga përgjakja dhe destabilizimi, e vlefshme me momentet e tjera kritike të historisë sonë.

Pas tyre, dhe Bashkimi Europian dhe vendet e mëdha mike të Shqipërisë, Italia, Gjermania, Britania e Madhe, Austria dhe Franca, shprehën vendosmërinë për 30 qershorin, duke ndarë fatin e Shqipërisë, nga talebanët.

Sot presidenti i Republikës na ka ftuar të zgjedhim mes tij, që donte të digjte Shqipërinë, dhe atyre që e shpëtuan Shqipërinë.

I njoh justifikimet që ai është bipolar, shpesh herë rrëshqet, shpesh herë nuk është njeri normal etj, broçkulla si këto, por e vërteta është se sot Presidenti formal i Shqipërisë, ka ftuar shqiptarët të zgjedhin mes atij dhe SHBA e vendeve të tjera Perëndimore, për atë çfarë ndodhi më 30 qershor.

E kuptoj skenën e sotme në Presidencë, ku ai i ngjante Don Kishotit. Ndryshe nga Don Kishoti që u frymëzua në marrëzitë e tij nga librat kalorsiakë të Alonso Quixanit, Don Kishoti ynë ndjehet i vetëfrymëzuar nga artikujt që porosit vetë në gazetat e portalet e tij, nga “analistët” e paguar prej tij banaqeve televizive, që këto muaj janë kthyer në “Kasandra” për Shqipërinë.

Don Kishoti ynë sot dukej sikur  kishte nxjerr nga sundyqet e historisë armaturën e ndryshkur anti-Perëndimore, dhe ja kishte hipur Rosinantit të tij, për t’i treguar dhëmbët SHBA-së dhe Bashkimit Europian.

Brenda një ore ai na rrëfeu dramën e tij, betejën me mullinjtë e erës, që ishin ambasadorët, betejat me “Kalorësin e Hënës së Bardhë”, që ishte Edi Rama dhe beteja me një turmë të burgosurish, që ishte beteja me shqiptarët që donin të votonin më 30 qershor, dhe që i pandehu se mund t’i shtronte lehtë.

I dërrmuar shpirtërisht, moralisht dhe fizikisht, Don Kishoti ynë sot, pranoi se ishte rraskapitur nga betejat me Perëndimin dhe kundërshtarët dhe kërkoi që shqiptarët të bashkohen dhe një herë rreth tij, me shpresë se ringrihet.

E di përgjigjen e shqiptarëve, por disa pyetje që lindin nga kjo marrëzi politike dhe klinike, duhet të jepen publikisht dhe zyrtarisht.

Parlamenti i Shqipërisë është e nevojshme të ketë një rezolute, ose deklaratë politike zyrtare të protokolluar, ku të distancohet fortë nga qëndrimet e presidentit të Republikës dhe ta shtojë këtë qëndrim, në një nga arsyet përse duhet shkarkuar. Kjo duhet për të qenë të qetë me hsitorinë dhe korrekt me shqiptarët.

Por peshën kryesore të reagimit në këtë histori e ka Partia Demokratike. E di që Ilir Meta i ka vënë në pozitë të vështirë, por ata duhet të shprehen qartë nëse janë me Presidentin, apo me SHBA dhe vendet Perëndimore në këtë rast.

Ai ka ngritur lart “stekën” e luftës kundër SHBA dhe Perëndimit, për të marrë peng pikë së pari Partinë Demokratike. Ai është duke u thënë atyre, ose pas meje në luftë kundër Perëndimit, o këtu rrugët tona ndahen.

Opozita pa LSI dhe Ilir Metën natyrisht mund të ketë shpresa dhe më të pakta për të ardhur në pushtet, por me këtë Ilir Metë ajo ka probleme shumë më të mëdha me shqiptarët.

Përpjekja e Ilir Metës për ta marrë peng PD në rrugëtimin e tij anti-Perëndimor është e qartë, dhe e ka bërë këtë si një “shejtan budalla”.

Heshtja e PD është një miratim i qëndrimit publik të Ilir Metës, i cili e kompletoi skenarin e tij anti-Perëndimor në çdo detaj, deri tek këshillat e kryeministrit hungarez Orban, i cili e paska këshilluar herët kundër Perëndimit, por ky se ka dëgjuar.

Heshtja e PD ndaj tij, është një heshtje e diktuar nga Sali Berisha. Ai është i heshtur dhe i lumtur që Ilir Meta po bën betejën e tij. Por Partia Demokratike, e cila ka në mbështetje të saj qindra mijëra shqiptarë, që kanë qenë burgjeve, vetëm nga dëshira që Shqipëria të kishte aleat SHBA dhe vendet Perëndimore, dhe të “qeverisej nga ambasadori i SHBA dhe jo ai sovjetik”, duhet ta ndajë këtë histori dhe nuk ka pse lidh fatin e saj me Ilir Metën e Sali Berishën.

Kjo nuk është një betejë për t’u distancuar nga Ilir Meta, pasi ai nuk përfaqëson më asgjë në Shqipëri. Kjo është një betejë për të ruajtur dinjitetin si shoqëri, orientimin Perëndimor të politikës shqiptare dhe për të testuar se sa larg dhe thellë mund të jetë rrënjosur bërthama e një politike anti-Perëndimore në Shqipëri.

Ky nuk është një rast për ta justifikuar presidentin si njeri anormal. Si njeri anormal, çohet në spital dhe jo në Presidencë. Nuk është rasti as të relativizojmë të keqen duke thënë se ka makthe nga drejtësia dhe kërkon pazar. Makthin nga drejtësia ta heq vetëm drejtësia.

Njeriu që ka tre javë që terrorizon shqiptarët me urë zjari në dorë, si një taleban, dhe befas kur e kupton që nuk e përfill njeri, çmendet dhe hidhet në luftë kundër Perëndimit, me përkrenaren e presidentit të Republikës në kokë, duhet të izolohet.

Jo se rrezikon të bëhet popullor si anti-Perëndimor, por rrezikon të na bëjë komb qesharak, nëse nuk distancohemi prej tij.

Don Kishoti është pasuri ta kesh personazh qesharak, por jo President. Si President të bën qesharak vendin./ TEMA

Komento

Komente

  • Mona cocaina: 03/07/2019 09:55

    Ky shkrim i shkelqyer i zotit Baze eshte nje gur kufiri midis shqiptareve te vertete qe aspirojne per ne Europe dhe e lidhin fatin e tyre me Ameriken dhe Europen dhe midis Dumbabisteve kriminele e grbitqare,te cilet historikisht jane joshur nga ndonje kocke e tradhetareve te vendit.Ilir Floriri i Metajve,sheiku i ketij vendi,i dale mendsh dhe ne aleance "Besa-Bese" me kapon e krimit,peshqeshin e UDB-se per kete vend,kriminelin e pape4nduar Berishovic kane vendosur qe te vene interesin e tyre personal dhe familjar perpara interesit te vendit e te popullit shqiptar.Koha e tyre ka ndalur dhe se shpejti kane pune me drejtesine.Parlamenti shqiptar ,do te ishte ne nderin dhe dinjitetin e tij te dale me nje deklarate zyrtare kunder alucinacioneve te ketij personi me te meta mendore,i cili pasi nuk ia arriti te digjej vendi pas cdekretimit te tij,tani kerkon te shpalle lufte Amerikes e Europes,sepse nuk jane cmendur dhe ata dhe nuk shkojne te bejne plazh me Xhiken e ri e te pine birra me te,me Moniken,me kermen e Berishajve apo me hollandezin e klubeve striptiz Bashovic brilantinen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?