Baze: Një gjobë me letër, në emër të opozitës

1 Tetor 2019, 23:09| Përditesimi: 1 Tetor 2019, 23:10

  • Share

Lulzim Basha u ka çuar një letër bankave të nivelit të dytë në Shqipëri, ku u kërkon të mos financojnë disa projekte të formës Partneritet Publik- Privat, pasi sipas tij, në këto projekte pastrohen para droge dhe se kur të vijë ky në pushtet, do t’i anulojë. Në letrën e sotme përmend konkretisht dy kontratat e fundit, çka nëse e merr seriozisht, ato dy kompani i bie të jenë nën akuzë nga Lulzim Basha, për pastrim parash.

Në fakt, nuk ka asnjë reagim, pasi nuk e merr kush seriozisht. Por ka një problem që lidhet me mënyrën se si Lulzim Basha kërkon të bëhet i rëndësishëm.

Në gjithë përpjekjet e tij për t’u imponuar si lider opozite, i vetmi element që nuk ndryshon, është përpjekja për t’u sjellë si gjobaxhi.

Të gjitha betejat e tij kundër tenderave publik, kundër koncesioneve, PPP-ve, apo çdo vepre publike, por dhe kundër bizneseve private në punë të tyre, janë të lidhura me emra konkretë, që ai mendon se meqë kanë marrë punë nga shteti, ose e kanë mirë me shtetin, duhet t’i japin dhe atij diçka.

E gjithë beteja për “Unazën e Re” prej tij, u bë se biznesmeni i tij priste të merrte pjesën më të madhe të Unazës dhe mori një që ishte më  vogël.

Beteja për Kalimashin u bë se nuk ishte marrë vesh me fituesit në kohën e duhur, pastaj reflektoi. Njësoj mund të numërosh dhe të identifikosh çdo zhurmë të tij, për çdo tender publik apo kontratë koncesionare, që bëhet sipas logjikës se këtu lekët duhet të ndahen.

Letra e sotme është një dëshmi e qartë e kësaj logjike. Ajo është simbol i selektivitetit, mungesës së parimeve dhe frymës së një gjobaxhiu ordiner.

Partia Demokratike nuk ka ndonjë program politik kundër PPP-ve. Madje autore e PPP-ve është vetë Partia Demokratike. Vajza e Sali Berishës, si frymëzuese e Bashës, biles është dhe autore e tekstit të PPP-ve dhe koncesioneve në Fakultetin Juridik.

Ne kemi ende shumë prej PPP-ve të Sali Berishës, që në fakt janë dhe biznese të familjes së tij, që po i paguajmë ende, siç është ngjyrosja e naftës, skanimi në pikat doganore, pullat fiskale etj.

Lulzim Basha dhe Partia Demokratike i kanë mbrojtur dhe i kanë firmosur ato. Po ashtu, nuk kanë qenë në parim kundër as ndaj shumë koncesioneve dhe PPP-ve të qeverisë Rama, pasi i kanë konsideruar të “përshtatshëm” disa biznesmenë, që me sa duket paguajnë për t’u mbyllur gojën.

Tani kjo letra drejtuar bankave të nivelit të dytë, vërtet mund të shkaktojë të qeshura në banka, por lë shije të hidhur në publik, kur shikon se si një njeri përdor vulën e një partie, për t’u vënë gjoba bizneseve që mendon se nuk kanë likujduar detyrimet ndaj opozitës.

Letra, edhe pse qesharake dhe diletante si akt politik, anën e saj më të errët e ka se është selektive, jo parimore, dhe patjetër pastaj, që dhe e paligjshme.

Nga ana juridike, kontratat miratohen me ligj të veçantë dhe nuk është se kanë ndonjë rrezik, por fakti që Lulzim Basha 20 kontrata i quan normale, kurse këto dy të fundit i quan pastrim parash, tregon se ka dalë keq nga pushimet dhe i duhen ca lekë.

Larg qoftë mos e dëgjofshim pas ca ditësh të lavdërojë “Gjikurinë” që po merr Orikumin, dhe këtë Nduen, që ka marrë rrugën e Torovicës. Varet nga sjellja e tyre, se ky e ka një të mirë. Nuk ka turp të thotë të kundërtën pas ca kohësh. Mjafton të bindet që paratë e tyre ishin të pastra. Dhe këtë e do me provë, t’i prekë me dorë./ tema

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?