Në Teatrin Kombëtar, aktorët përgatiten për të përqendruar vëmendjen e spektatorit tek familja. Misioni me “Festen. Përvjetori i ditëlindjes”, pjesa dramtaurgjike që Besmir Bitraku, zgjedh për të debutuar si regjisor, nuk është i lehtë, por i domosdoshëm për të shkundur edhe shoqërinë shqiptare nga ngërçet në edukimin e fëmijëve, apo më keq abuzimeve të mundshme...
“Besoj që është zanafilla, aty ku sot duhet të kthejmë sytë si shoqëri, tek fëmijët. Të kujdesemi që mos të ndodhë diçka në fëmijëri se ajo do përkthehet, pas disa vitesh në një formë tjetër të dhunës”, thotë Bitraku.
E përshtatur si pjesë dramaturgjike nga filmi danez, vlerësuar me çmimin e jurisë në Kanë, “Festen”, vjen për herë të parë në teatrin shqiptar.
“Kjo është një vepër që është bazuar nga filmi ‘Festen’ i Thomas Vinterberg, dhe dramatizimi është bërë nga autori britanik David Eldridge. Në këtë vepër trajtohet një dramë sociale, por edhe një sërë nëntemash si racizmi, autoriteti patriarkal etj.”, thotë më tej Bitraku.
Një familje daneze në dukje perfekte, që fsheh ‘skelete në sirtar’, e që regjisori do t’i zbulojë gradualisht duke përfshirë në lojë edhe spektatorin, të cilin e fton në skenë.
“Unë bëj një ftesë... sepse kjo vepër vlen edhe për të kuptuar, se të gjithë ne duhet të reagojmë ndaj padrejtësive. Dhe, mos reagimi është një lloj bashkëfajësie. Të gjithë mund ta gjejnë veten që në momente të caktuara, mund ta ndiejnë veten disi fajtor, jo për temën që është në qendër, por për probleme të tjera. Megjithatë kjo është një luftë e vogël që ne bëjmë nga llogorja jonë e vogël të cilën mendojmë se duhet ta bëjmë!”, thotë Bitraku.
Me një kast të përzgjedhur aktorësh shfaqja nis në 27 maj e do të vijojë përgjatë gjithë muajit qershor.