Prej ditësh në Kukës kanë nisur xhirimet e filmit “Triumf Pa Lavdi” me regji të Mentor Mataj me origjine nga Kukësi që jeton në Britaninë e Madhe. “Triumf Pa Lavdi” sipas regjisorit që ka dhe rol ne film, është aksion, dramë, romancë me temë hakmarrjen.
“Ngjarja kryesore është hakmarrja dhe mesazhi është se hakmarrja nuk e sjell dot atë që ke humbur në jetë”, tha Mentor Mataj, regjisor.
Në rolet kryesore janë aktorët e njohur Mehdi Malkaj, Natasha Sela, Bujar Asqeriu. Për Report tv, Malkaj shprehet se është një film tronditës mbi fenomenet e ditëve të sotme.
“Është film tronditës! Bëhet fjalë për hakmarrjen, e cila nuk e qetëson dot njeriun”, u shpreh Malkaj.
Ndërsa aktori Viktor Lata tregon se filmi ka si subjekt hakmarrjen për vrasjen e një djali të vogël, rritur në Kukës.
“Është film që bazohet në ngjarje të vertetë”, tha ai.
Xhirimet e filmit do të vazhdojne dhe në Angli nga kompania “North Pro” kurse premiera pritet të jepet gjatë muajit shtator.