‘Pranvera’ ka ardhur e mbushur me pasiguri ekonomike, ndikuar nga ndryshimet që po ndodhin në politikat tregtare globale, pas luftës tregtare me tarifat, ndryshime të cilat mund të ndikojnë negativisht në besimin e bizneseve dhe të konsumatorëve.
Ky është konkluzioni i Bankë Botërore në ‘Raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor’ të publikuar këtë të hënë.
Ekonomia e Shqipërisë konsiderohet e qëndrueshme por sipas Bankës Botërore ajo do të rritet më ngadalë sesa ishte planifikuar, 3.2% nga 3.4% që pritej.
“Ne presim që rritja ekonomike e Shqipërisë të vijojë të jetë e qëndrueshme në të ardhmen e afërt, megjithëse pasiguritë rreth tregtisë globale dhe rritjes së përgjithshme paraqesin rreziqe potenciale”, është shprehur Richard Record Menaxheri në Detyre i Bankës Botërore për Shqipërinë.
Turizmi dhe ndërtimi janë dy sektorët kryesorë që pritet të mbështesin ekonominë edhe për këtë vit, por Banka Botërore sugjeron që duhet të vijohet me reformat që nxisin produktivitetin, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe ndërtimin e një shteti digjital.
Nëse rritja ekonomike do të vijojë në këto parametra Banka Botërore vlerëson se varfëria do tkurret edhe më tej. Sa i takon borxhit publik parashikohet të zbresë në 52,8% të PBB-së gjatë periudhës 2025–2027.
Ekspertët e bankës kanë ulur optimizmin edhe për vendet fqinje. Në raport thuhet se rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të ngadalësohet me ritëm të moderuar në vitin 2025.
“Pasiguria në tregtinë globale ka gjasë të prekë Ballkanin Perëndimor, kryesisht si rrjedhojë e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në zonën e euros. Ky ngadalësim mund të pakësojë tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, si dhe investimet dhe dërgesat”, vlerëson Banka Botërore.
Në këtë kontekst pasigurish vendeve të Ballkanit u rekomandohet të reformojnë sistemet e mbrojtjes sociale, të hartojnë politika të reja punësimi dhe të marrin masa sa i takon sigurisë klimatike.
Komente
