Gary Lineker është rikthyer në moderimin e emisionit sportiv të së shtunës në Britani, për BBC. "Match of the Day" tanimë do ketë ikonën e saj që prej 1990-tës, me rrjetin britanik që pak ditë më parë shkarkoi nga puna ish-sulmuesin e kombëtares angleze të futbollit.
62-vjeçari Lineker u pezullua të premten e shkuar për komentet që ai bëri duke kritikuar planin e qeverisë konservatore të vendit të tij për të ndaluar azilkërkuesit që mbërrijnë me varka nëpërmjet kanalit të La Manshit.
Gjithçka është lënë pas, teksa drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie ka konfirmuar peshën që Lineker ka te BBC dhe rikthimin e tij. "Të gjithë e kuptojnë se kjo ka qenë një periudhë e vështirë për stafin, kontribuesit, prezantuesit dhe më e rëndësishmja, audiencën tonë. Kërkoj falje për këtë. Gary është pjesë e vlerësuar e BBC-së dhe unë e di se sa shumë do të thotë BBC për Gary-n, dhe mezi pres që ai të prezantojë emisionin tonë fundjavën që vjen".
Lineker, i cili ka luajtur 80 ndeshje dhe ka shënuar 48 gola për kombëtaren e "Tre Luanëve" ka thënë se është falenderues për drejtorin dhe se do vijojnë të bëjnë punë të mirë së bashku. " Doja të falenderoja Tim Davie për mirëkuptimin e tij gjatë kësaj periudhe të vështirë. Ai ka një punë pothuajse të pamundur për t'i mbajtur të gjithë të lumtur, veçanërisht në fushën e paanshmërisë. Jam i kënaqur që do të vazhdojmë të luftojmë së bashku në këtë drejtim".
Komente
