BE 6 mld euro për rajonin, Çoçoli: ‘El Dorado’ e mundësive, ja marrëveshjet e rëndësishme! Aliaj: Problem, mungesa e projekteve nga Shqipëria

29 Shkurt, 20:05| Përditesimi: 29 Shkurt, 21:15

  • Share

Ekspertët kanë diskutuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv lidhur me risitë që solli për Shqipërinë samiti që u mbajt sot në Tiranë mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së me qendër Planin e Rritjes Ekonomike me 6 miliardë dollarë për rajonin.

Eksperti i Ekonomisë, Fatos Çoçoli përmendi disa prej marrëveshje të firmosura sot të cilat janë tepër të rëndësishme për vendin dhe kryesisht të rinjtë e vendit. Ai e cilësoi fondin e BE-së ‘El Dorado’ të mundësive’.

“Marrëveshja për tregun unik të pagesave që quhet SEPA. Këtu ne fitojmë 24 milionë euro në vit, në momentin që hyjmë. Ne do bëjmë aplikimin, the guvernatori dje. Aty ishte një shenjë integrimi. Marrëveshja tjetër ishte interneti falas. Sot është epoka e internetit, është e paimagjinueshme pse neve të na përfundojë interneti kur hyjmë në vendet e BE. Është një ‘El Dorado’ e vërtetë e mundësive, sidomos për të rinjtë tanë apo për ‘nomadët digjitalë’.  Ne na takon me ligj e me gjithçka, 1 miliardë euro nga këto që ka caktuar BE për rajonin. Do jetë një garë shumë e fortë në shkrimin e projekteve. Unë shoh dritë në fund të tunelit atë 1 miliardëshin”-u shpreh Çoçoli.

Ndërsa eksperti i Çështjeve të Integrimit, Ilir Aliaj duke theksuar disa kritere që Shqipëria duhet të përmbushë për të marrë fondet e BE-së, nënvizoi gjithashtu problemin e mos-paraqitjes së projekteve nga bashkitë e vendit mbi fusha për të cilat mund të përfitojnë grante nga Bashkimi Europian.

“Duhet që ne së pari të krijojmë treg të brendshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Na janë hapur portat që në 2012 për tregun e BE. E rëndësishme është të plotësojmë reformat që na kërkohen. A jemi ne një ekonomi tregu në gjendje t’i përgjigjemi konkurrueshmërisë tregut të brendshëm europian? A jemi në gjendje t’u përgjigjemi spanjollëve, gjermanëve, italianëve? Shqipëria nuk aplikon për fondet e BE-së. E para është dhënia e ideve. U dha ideja për digjitalizimin, që do vijnë 40 milionë euro.. kjo është një ide e mirë e dhënë nga qeveria. Por në çdo bashki, apo edhe agjensi kombëtare ka problematika nga më të ndryshmet.  Problematika mjedisore, të transportit, infrastrukturës, arsimit. E para, nuk dinë të shkruajnë projekte. E dyta është se nuk dinë t’i zbatojnë, sepse projekti në vetvete ka një cikël të tillë, BE jep paradhënie 18% të projektit dhe më pas për të tjerat duhet të dorëzosh faturat e projektit”- u shpreh Aliaj.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Çoçoli tha se shkak për mungesën e marrjes së granteve në projekte të caktuara, është edhe burokracia e Bashkimit Europian.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?