Kronikë

BE, 90 milionë euro Shqipërisë për rimëkëmbjen postpandemi! Soreca: Brenda 2021 disbursojmë 90 milionë të tjera

31 Mars 2021, 13:15| Përditesimi: 31 Mars 2021, 15:22

  • Share

Komisioni Evropian, në emër të BE-së, ka akorduar sot 90 milion € për Shqipërinë në kuadër të programit të tij të ndihmës makro-financiare (MPJ) lidhur me COVID-19, lajmi u bë i ditur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë. 

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, me anë të një postimi në twitter theksoi se me këtë veprim BE , tregoi se gjendet krah shqiptarëve në luftë kundër pandemisë dhe pasojave të saj. 

"COVID-19 nuk njeh kufij. Bashkimi Evropian qëndron në krah të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj në këto kohë të vështira. Ky disbursim i parë prej 90 milion € do të kontribuojë në zbutjen e pasojave të rënda socio-ekonomike të pandemisë, duke mbështetur kategoritë më të prekshme”, tha Soreca.

Shqipëria është i teti vendi që merr një disbursim nga paketa emergjente e Ndihmës Makro Financiare prej 3 miliardë eurosh për dhjetë vende partnere të zgjerimit dhe fqinjësisë, që synon t’i ndihmojë ato të kufizojnë pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit.

Fondet e MPJ do të vihen në dispozicion për 12 muaj në formën e huave me kushte shumë të favorshme për të ndihmuar këto vende të mbulojnë nevojat e tyre urgjente të financimit. Së bashku me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ato mund të kontribuojnë në rritjen e stabilitetit makroekonomik dhe krijimin e hapësirës për të lejuar shpërndarjen e burimeve. 

Transaksioni i sotëm pason miratimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit me Shqipërinë, I nënshkruar në tetor të vitit të kaluar, i cili përcakton kushtet e politikës që duhet të plotësohen për disbursimin e këstit të dytë prej 90 milion €, lajm që u konfirmua nga ambasadori. 

" Ky program është një demonstrim tjetër  konkret i solidaritetit të Bashkimit Evropian me Shqipërinë dhe Qytetarët Shqiptarë në këtë kohë krize të paparë," tha Soreca. 

Këto kushte të politikave lidhen veçanërisht me përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e mbrojtjes sociale. 

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?