Partia Demokratike ka ngritur shqetësimin për bllokimin e produkteve ushqimore shqiptare në vendet e Bashkimit Europian, pasi rezultonin me përmbajtje pesticidesh.
Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari, në një deklaratë për mediat, ka përmendur rastet e pjeshkëve, specave dhe domateve shqiptare që janë bllokuar në Slloveni, Kroaci, Poloni por edhe jashtë BE-së, si në Bosnje-Hercegovinë.
Muçollari ka akuzuar Qeverinë se nuk ofron garanci për prodhimet shqiptare, e as nuk mbështet fermerët.
Për rrjedhojë, thotë ai, shëndeti i konsumatorëve është në rrezik.
Deklarata e Grigers Muçollarit:
Brenda një jave, tre produkte ‘Made in Albania’ janë ndaluar dhe janë kthyer mbrapsht nga vendet fqinje, për shkak të përmbajtjes së elementëve të rrezikshëm për shëndetin.
Vende të BE si Kroacia, Sllovenia, Polonia, por dhe Bosnje-Hercegovina, nuk kanë lejuar domatet, pjeshkët dhe specat e vendit tonë të tregtohen e konsumohen atje, pasi rezultuan si rrezik serioz për shëndetin.
Këto raste të përsëritura konfirmojnë dështimin kriminal të qeverisë në fushën jetike të sigurisë ushqimore.
Alarme si këto janë dëshmitarë të dyfishtë të rrënimit: ne nuk e dimë çfarë konsumojmë, këtë na e bëjnë me dije autoritetet e vendeve të tjera.
Qeveria as e mbështet dhe as e monitoron fermerin.
Ajo nuk ofron asnjë siguri për prodhimet që hyjnë apo prodhohen në vend. Shëndeti i fëmijëve, dhe të rriturve vihet në rrezik nga ushqimet me përmbajtje të lartë pesticidesh, apo deri dhe metale të dëmshme, siç e dëshmojnë rastet sllovenët dhe kroatët.
Këto janë tiparet e një qeverie që nuk ka prioritet njerëzit, por kullat, tenderat, dhe pastrimin e parave.
Aksionet dhe gjobat ndëshkuese ndaj tregtarëve të vegjël dhe propaganda me drejtorë nuk janë zgjidhje, por një përpjekje për të mbuluar dështimin kapilar.
Një qeveri autokratike nuk mund të ketë në konsideratë domatet, qumështin, frutat e perimet e këtij vendi. Ajo ruan kolonat ku mbahet vetë: korrupsionin, pastrimin e parave dhe aktivitetet e jashtëligjshme.
Ky është një sinjal i fortë për qytetaret që mos të pranojnë më një narkoshtet që mburret me dronët, por nuk arrin të garantojë as domatet.
Komente
