Bota

BE diskuton propozimin e SHBA mbi pezullimin e patentave të vaksinave anti-COVID! Merkel kundër, Draghi e mbron: Është në të mirën e përbashkët!

7 Maj 2021, 10:04| Përditesimi: 7 Maj 2021, 14:24

  • Share

Propozimi i administratës Biden për pezullimin e patentës për vaksinat kundër COVID-19, ngjalli shpresa të mëdha për dhënien fund të nacionalizmit të vaksinave dhe mposhtjen e pandemisë. Menjëherë pas deklaratës së Biden, BE dhe presidentja e komisionit evropian ishin të  gatshëm për të diskutuar një hap të tillë, me liderët e unionit. Një pikë kthese në luftën ndaj pandemisë por që u përplas me dyshimet e Gjermanisë dhe pakënaqësinë e grupeve farmaceutike.

Komisioni Evropian, shtetet anëtare si dhe vetë SHBA e kishin refuzuar fillimisht këtë nismë, por gatishmëria e Biden për të diskutuar në lidhje me të gjeti mbështetjen e menjëhershme të Presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen. Sidoqoftë, kancelarja gjermane Angela Merkel mbetet skeptike dhe kundër kësaj nisme.

 "Faktori kufizues në lidhje me krijimin e vaksinave - tha një zëdhënëse e qeverisë së Berlinit - janë kapacitetet prodhuese dhe standardet e larta të cilësisë, jo patentat".

I pari që deklaroi se ishte "plotësisht pro "linjës së re ishte presidenti francez Emmanuel Macron. Spanja dhe Italia gjithashtu mbështesin linjën e re.

Për kryeministrin italian Mario Draghi «vaksinat janë një e mirë e përbashkët globale dhe rritja e prodhimit të tyre është një prioritet për të gjithë, duke garantuar sigurinë e tyre dhe shmangien e pengesave që kufizojnë fushatat e vaksinimit ».

Mbështetje në këtë aspekt ka ardhur edhe nga Rusia, ku presidenti Vladimir Putin deklaroi se Rusia do të mbështesë këtë qasje.

Udhëheqësit e BE do të diskutonin temën e ndarjes së vaksinave në Porto, përfshirë idenë e heqjes dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale.

Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli shkroi në Twitter se parlamenti është "gati të diskutojë çdo propozim që do të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të vaksinimit".

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, theksoi se "të gjitha vendet duhet të lejojnë eksportet dhe të shmangin ndërprerjen e furnizimit me vaksina. Ne kemi nevojë për të zhvilluar kapacitetin global të prodhimit për partnerët në zhvillim me mbështetjen financiare të BE-së ".

Vendimi i presidentit Biden pason krizën që po kalon prej ditësh India, e cila përfaqëson 46% të rasteve të reja me COVID-19 të regjistruara në të gjithë botën javën e kaluar. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?