Bashkimi Evropian ka aprovuar një fond prej 6 mld eurosh për Ballkanin perëndimor, në kuadër të Planit të Rritjes Ekonomike. Mes vendeve që përfitojnë është edhe Shqipëria, sigurisht duke plotësuar kushtet e vendosura që në Samitin e Tiranës në muajin shkurt.
Më 16 Tetor pritet të bëhet edhe ndarja e këtij fondi, ku sipas përllogaritjeve të përafërta dhe ende jo zyrtare, Shqipëria pritet të përfitojë në total 922 milionë Euro, ndërsa si mjete “parafinancuese” 64.5 milionë.
Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë Euro, ku nbi 250 milionë Euro do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive. Maqedonia e Veriut pritet të ketë në dispozicion 750 milionë Euro, ndërsa pagesa e parë për të do të ishte 52.5 milionë.
Serbisë do t’i ndaheshin gjithsej 1.58 miliard Euro, ndërsa pagesa e parë për të do të ishte 111 milionë. Mali i Zi do të kishte në dispozicion gjithsej 383 milionë Euro, ndërsa si “parafinancim” 26.8 milionë. Bosnje Hercegovina, nga totali i planit, do të kishte në dispozicion 1 miliard e 85 milionë Euro, ndërsa si “parafinancim” 76 milionë.
Por, para se të bëhen këto pagesa, vendet përfituese duhet t’i nënshkruajnë marrëveshjet dhe t’i ratifikojnë ato në parlamentet e tyre kombëtare, sepse dy miliardë Euro do të jenë para pa kthim, ndërsa të tjerat do të jenë kredi të favorshme. BE ka vendosur në këtë rast edhe kushtet që duhet të përmbushen, të deklaruara që më 29 Shkurt të këtij viti, kur u bë publikimi i lajmit në Samitin e zhvilluar të Tiranës.
Llogaritja se cili vend do të ketë në dispozicion sa mjete financiare, është bërë në bazë të Bruto Prodhimit Vendor (GDP), numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera.
Por, që në prezantimin e parë të këtij plani, më herët këtë vit, vendeve të rajonit u është thënë qartë se nëse ndonjëri nuk i kryen reformat pas një-dy vjetësh, atëherë shuma e dedikuar për të do t’u shpërndahet vendeve tjera.
Plani, po ashtu, ka qëllim të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e tregut të përbashkët në rajon, i cili gradualisht do të integrohej në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Ky plan, sipas zyrtarëve të BE-së, nuk ka në asnjë mënyrë qëllim të krijojë ndonjë alternativë të zgjerimit të BE-së, por ta bëjë anëtarësimin në BE të këtyre vendeve më të lehtë.
Bashkimi Evropian do që pagesat e para nga ky plan të kryhen sa më parë dhe të nisë zbatimi i projekteve që do të financoheshin përmes tyre. Në të njëjtën kohë, në BE rikujtojnë edhe kushtet që duhet të përmbushen gjatë gjithë procesit të realizimit të projekteve.
Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, kontrollin financiar dhe auditimin e duhur sipas standardeve evropiane, ndërsa në rastin e Kosovës dhe të Serbisë, kusht specifik është edhe angazhimi konstruktiv në normalizimin e raporteve mes tyre.
Në rast të keqpërdorimit të këtyre mjeteve, BE-ja do të mund të kërkojë kthimin e tyre, ndërsa mjetet e pashfrytëzuara nga ndonjë vend, do të mund të shfrytëzoheshin për një vend tjetër të rajonit.
Deri më tash, ky është plani më ambicioz i veçantë i Bashkimit Evropian për vendet e rajonit, i cili nuk është pjesë e mjeteve të rëndomta nga Instrumentet e Para-Anëtarësimit (IPA), të cilat u dedikohen vendeve nga procesi i zgjerimit, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, shkruan REL.