8 mijë familje në bashkitë Shkodër, Berat, Përmet dhe Korçë pritet të përfitojnë grante nga Bashkimi Evropian për të instaluar panele diellore. Në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese u shqyrtua marrëveshja me BE për një projekt me kosto 79 milionë euro për energjinë e rinovueshme ku 50 milionë euro është grant nga BE.
“Synojmë rritjen e efeciencës publike në ndërtesat publike në katër bashki duke ulur emetimet dhe duke zhvilluar energjinë e rinovueshme. Programi përfshin instalimin e paneleve fotovoltaike dhe kolektorëve diellor si dhe parashikohen të jenë 8 mijë familje përfituese nga skema grantesh”, tha Ami Kozeli Zëvendësministër në MIE.
Zëvendësministri i Infrastrukturës tha në komision se ky program do të stimulojë edhe përdorimin e mjeteve elektrike.
“Fusha e dytë është infrastruktura për automjetet elektrike, synohet ulja e emetimeve të karbonit. Do të realizohet instalimi i 130 stacioneve të karikimit të shpejtë në akset kryesore të vendit”, tha Kozeli.
Dy fushat e tjera që do të financohen me këtë fond janë eficienca energjisë në ujësjellës dhe asistenca teknike për këto projekte.
“Eficenca e energjisë në sektorin e ujit ku synohet rritja e efeciencës në 7 ndërmarrje të ujësjellës kanalizimeve, përmirësimi i sistemeve të pompimit si dhe do të instalohen sisteme të vogla fotovoltaike të pavarura me një kapacitet total të kombinuar deri në 15 MË”, tha zëvendësministri.
Ky grant i BE vjen në kuadër të fazës përgatitore që vendi po kalon për tu bërë pjesë e BE, dhe ndahet në 4 këste deri në vitin 2027.
Po ashtu Komisioni i Veprimtarisë miratoi edhe kredinë prej 45.7 milionë euro që BERZH ka dhënë për OSHEE-në për të shlyer huatë që kjo e fundit ka pranë bankave tregtare në Shqipëri.
Komente
