Flamuri i BE

BE kërkon marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë dhe kushte për takim të nivelit të lartë

26 Prill 2022, 08:27| Përditesimi: 26 Prill 2022, 08:29

  • Share

Bashkimi Evropian është duke shpresuar se gjatë kësaj jave do të ketë edhe një takim mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në nivel të kryenegociatorëve.

Pas dështimit javën e kaluar që të arrihet marrëveshja për targat, një burim i bllokut evropian u ka thënë të hënën, 25 prill, gazetarëve se palëve u është përcjellë ftesa që të vazhdojnë diskutimet për këtë çështje dhe tema tjera.

Ky burim ka thënë se në takimet e fundit pala kosovare ishte e interesuar që të arrihet zgjidhje e përhershme për targat, ndërsa pala serbe ishte më shumë e interesuar për të ruajtur status quo-n. Marrëveshja e përkohshme mes dy shteteve për targat parasheh mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targat e makinave kur ato të kalojnë në territorin e njëra-tjetrës.

Sipas këtij burimi, palët janë “shumë afër” për të arritur dy marrëveshje tjera, atë për energji dhe për të pagjeturit.

“Sa i përket çështjes së të pagjeturve, praktikisht ka mbetur të zgjidhen vetëm dy fjalë, pra një gjysmë fjalie, që të kemi marrëveshjen”, ka thënë ky burim.

Në BE thonë se është e domosdoshme që të ketë shpejt marrëveshje, në mënyrë që të krijohen kushtet për takimin e nivel të lartë politik mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Të dy u kanë thënë përfaqësuesve të BE-së dhe Kuintit (Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania) se janë të gatshëm të vijnë në takime, në kuadër të dialogut, kurdo që të ftohen nga BE-ja” ka thënë një zyrtar i BE-së.

Megjithatë, kryediplomati evropian, Josep Borrell ka thënë më parë se ai nuk do t’i ftojë palët në takim të tillë nëse nuk do të ketë sinjale të qarta se ato kanë gatishmëri për të arritur përparim në takime të tilla. Arritja e marrëveshjeve për targat, për energji dhe të pagjeturit do të krijonte kushte edhe për takim në nivel të lartë mendojnë në BE.

Ky zyrtar i BE-së ka sqaruar se nuk ka pasur afat kohor për skadimin e marrëveshjes për regjimin e përkohshëm të përdorimit të letrave ngjitëse për targat, por mandati prej gjashtë muajsh ka qenë vetëm për grupet punuese për të paraqitur opsionet. Këto grupe janë takuar tetë herë në gjashtë muaj. Por në asnjë rund nuk ka pasur pajtueshmëri mes tyre.

Burimet e BE-së kanë sqaruar po ashtu se për territorin e Kosovës vetëm autoritetet e Kosovës mund të lëshojnë targa të veturave dhe me këtë Serbia ishte pajtuar qëmoti. Por megjithatë në BE kanë frikë se zbatimi me forcë i ndonjë vendimi nga ana e Kosovës mund të krijojë tensione të panevojshme prandaj kanë bërë thirrje që të mos ketë veprime të ngutshme dhe të njëanshme.

Marrëveshja e arritur më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel, ka dalë pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti.

Me ato masa, makinat me targa të Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, është dashur të vendosin targa të përkohshme - ngjashëm siç kanë vepruar shoferët e makinave me targa të Kosovës kur kanë hyrë në Serbi./ REL

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?