Komisioni Europian po shqyrton një propozim të ri ligjor për emigrantët e paligjshëm, sipas së cilit parashikohet që emigrantët të vendosen në kampe jashtë Unionin, një skemë e ngjashme me planin Rama-Meloni në Gjadër. Kjo lëvizje e Komisionit Europian vjen teksa vendet e Unionit po kërkojnë masa më të ashpra për të luftuar fluksin e emigrantëve të paligjshëm.
Lajmi bëhet me dije ekskluzivisht nga media e huaj, Euronews, e cila ka zbardhur detaje nga takimi jozyrtar i Komisionit Europian në Varshavë të enjten e kaluar, më 30 janar. Euronews shkruan se ka lexuar dokumentet, sipas së cilave thuhet se BE synon të përfshijë krijimin e ‘qendrave të kthimit’ jashtë kufijve të saj, ku emigrantët do presin në këto kampe në pritje të shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil dhe në rast refuzimi do duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës.
Pikë kjo që parashikohet edhe në marrëveshjen Itali-Shqipëri për emigrantët, të cilët vendosen në Gjadër në pritje të kërkesave për azil. Deri më tani në 3 raste kur Italia solli emigrantë në Gjadër, gjykatat italiane kanë vendosur kthimin në Itali, ndërsa për këtë çështje pritet një vendim më 25 shkurt nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Sa i takon planit të BE, media Euronews shkruan se gjatë takimit të mbajtur në Varshavë komisioneri për migracionin, Magnus Brunner, diskutoi ide “inovative” për menaxhimin e emigracionit me përfaqësues të vendeve anëtare të Schengenit dhe institucioneve të BE-së, ku fokusi kryesor ishte legjislacioni për kthimin e emigrantëve.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian refuzoi të komentonte mbi këtë çështje, megjithatë, pritet që propozimi të publikohet nga Komisioni brenda këtij muaji, duke nisur procesin ligjor.
‘Qendrat e kthimit’ dhe ‘ndarja’ e vendeve të BE
Brunner propozoi “rregulla më të rrepta për ndalimin e emigrantëve” dhe “mundësinë e krijimit të qendrave të kthimit” gjatë takimit, ide që u mbështet nga Austria, Bullgaria, Çekia, Danimarka, Gjermania, Greqia, Italia, Letonia dhe Malta. Këto vende e konsiderojnë këtë mekanizëm si një mënyrë për të dekurajuar emigracionin e paligjshëm.
Ndërkohë, vende si Portugalia dhe Spanja shprehën dyshime mbi aspektet ligjore dhe praktike të këtij propozimi, ndërsa Irlanda dhe Belgjika theksuan nevojën për një qasje realiste dhe në përputhje me të drejtat themelore të njeriut.
Në një seancë dëgjimore në Parlamentin Evropian vitin e kaluar, Brunner deklaroi se qendrat e kthimit mund të krijohen “në mënyrë humane dhe të ligjshme”, por theksoi se nevojitet reflektim i mëtejshëm për zbatimin praktik të këtij koncepti.
Organizatat humanitare e kanë kundërshtuar ashpër këtë nismë, duke argumentuar se ajo mund të çojë në ndalime të gjata dhe vuajtje të emigrantëve. Ligji aktual i BE-së ndalon autoritetet të dërgojnë emigrantët kundër dëshirës së tyre në vende me të cilat nuk kanë asnjë lidhje.
Presioni politik për politika më të ashpra
Pavarësisht kritikave, shumë vende të BE-së po kërkojnë masa më të forta për kthimin e emigrantëve. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbështetur idenë e qendrave të kthimit, duke e konsideruar atë një hap të rëndësishëm në politikën e re të migracionit.
Në tetor, ajo iu referua marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për mbajtjen e emigrantëve si një model për të ardhmen e politikës së BE-së për migracionin.
Masa të tjera në kuadër të ligjit të ri
Brunner propozoi gjithashtu që emigrantët që refuzojnë të bashkëpunojnë me autoritetet gjatë procesit të kthimit të përballen me pasoja të qarta ligjore. Spanja, e mbështetur nga Portugalia, Rumania, Sllovakia dhe Islanda, kërkoi një rol më të madh për Frontex, agjencinë kufitare të BE-së, për të zbatuar kthimet. Vetë Frontex e mbështeti këtë kërkesë, duke theksuar nevojën për më shumë burime financiare dhe personel.
Von der Leyen ka premtuar trefishimin e stafit të Frontex gjatë mandatit të saj të dytë, duke e vendosur këtë çështje në krye të agjendës së BE-së për migracionin.
Hapat e ardhshëm
Pas publikimit të propozimit nga Komisioni Evropian, procesi ligjor do të zgjasë rreth dy vjet për t’u miratuar. Në këtë periudhë, Brunner do të jetë përgjegjës për zbatimin e Paktit të Ri për Migracionin dhe Azilin, një reformë madhore e miratuar në maj pas gati katër vitesh negociata të vështira.
Megjithatë, Polonia dhe Hungaria kanë deklaruar se nuk do ta zbatojnë këtë pakt, duke ngritur shqetësime për dështimin e tij përpara se të hyjë në fuqi. Brunner ka paralajmëruar se çdo vend që nuk e respekton këtë marrëveshje mund të përballet me veprime ligjore nga Komisioni Evropian.