Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi i është përgjigjur Bashkimit Evropian, që ka kritikuar qeverinë për presion në drejtësi, duke thënë se duhet të insistojnë që vendimet e Gjykatës Kushtetueses të zbatohen në të gjitha rastet, dhe jo “pick a cherry” (të zgjidhet e preferuara).
Bashkimi Evropian dhe Gjermania së fundmi kanë theksuar se vendimet e Kushtetueses duhet të jenë të zbatueshme, përfshirë aktvendimin e 19 majit 2015 për rastin e Manastirit të Deçanit.
“Kushtetuta ose duhet të zbatohet në tërësi ose të mos zbatohet. Në njërin vendim të ketë insistim të BE-së që Kushtetua të zbatohet tërësisht, siç është rasti për Manastirin e Deçanit dhe nenin 11 që thotë ka vetëm një monedhë në qarkullim në Kosovë, të njëjtin miq të thonë këtë mos e zbatoni. Kushtetuta ose është e shenjtë dhe duhet të zbatohet, ose pastaj bëjmë “pick a cherry”. Nëse duhet bërë “pick a cherry” e bëjmë ne, por nëse zbatohet, insistoni që të zbatohet në të gjitha rastet”, tha Bislimi në konferencë për media të mërkurën.
Sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, çdo deklaratë i tij për sistemin e drejtësisë është certifikim i mosndërhyrjes në drejtësi.
“I kam dy mundësi: ose flas me gjykatësit nëpër mekanizma paralel dhe ndikoj në vendimin e tyre, atëherë nuk kam nevojë të deklarohem publikisht se kam arritur qëllimin, kam ndërhyrë në drejtësi, ose në pamundësi të ndërhyrjes në drejtësi, deklaroj publikisht për brengat që kam. Çdo deklarim publik i imi për problemet me sistem të drejtësisë janë certifikim i mosndërhyrjes në drejtësi. Sepse tregojnë që kam pakënaqësi, dhe nuk kam zgjedhur rrugën e ndërhyrjes. Jo çdo brengë e dikujt që thotë mos ndërhyni në drejtësi, është rezultat i mosndërhyrjes. Pyetjet që duhet ta bëni: sa janë të pavarura gjykatat tona? Është e qartë që gjykatat janë të pavarura nga Qeveria, por a janë të pavarura? Nëse jo, nga kush varen, kush i ndikon vendimet që marrin gjykatat tona? Nëse unë kritikoj një vendim, sepse bash ai vendim nuk është i pavarur. Sepse do të doja që gjykatësi të vendosë në bazë të elementeve pa ndërhyrje nga jashtë, qoftë brenda apo jashtë Kosovës”, tha Bislimi.