BE mbështetje për fuqizimin e “grave të maleve”/ Report Tv një ditë me to në Javën e Europës

10 Maj 2018, 17:31| Përditesimi: 10 Maj 2018, 17:50

  • Share

Pavarsisht se Shqipëria nuk është ende anëtare e BE-së, kjo nuk pengoi aspak që vendi ynë të bëhej pjesë e festimeve të asaj që njihet si Java e Europës. Delegacioni i BE në Tiranë, autoritetet shqiptare përfshi ambasadat e vendeve anëtare të BE në Tiranë, organizuan një program të pasur veprimtarish, duke treguar kështu mbështetjen e tyre për Shqipërinë.

Mes diskutimeve me qytetarët mbi zgjerimin e Bashkimit Europian, mundësitë e studimeve, letërsinë shqiptare dhe europiane apo ritmet muzikore e ekspozita, Report Tv u ndal tek “Gratë e maleve”. Rinalda Lika nga zona e Fushë Arrëzit , është një prej tyre e cila tregon idenë e projektit të mbështetur nga Bashkimi Europian “Rrjeti i fuqizimit të grave në male”.

Është një nder që edhe gratë në male të jenë pjesëmarrëse në Javën e Europës, për të promovuar produktet dhe prodhimet që ato bëjnë. Sektoret ku ato gra mund të promovojnë veten me produktet e zonave janë të ndryshme.

Rinalda Lika për Report Tv.

Flora Doçi nga zona malore e Vaut të Dejës nëpërmjet punimeve artizanale jo vetëm ruan traditën por edhe fiton të ardhura duke forcuar rolin e saj si grua në shoqëri.

Traditën e ruajmë me shumë fanatizëm. Këtë traditë ma ka lan nana ime, unë ja kam lënë vajzës. E mira është ajo që punëson veten se çdo njeri që punëson veten është me fitim. Sot e gëzoj jetën se punoj dhe jetoj me forcat e mia.

Artizanja Flora Doçi për Report Tv me shumë mirësjellje u tregua e gatshme të më mësojë disa truke të zanatit.

Edhe pse mentaliteti ka ndrydhur “gratë në male” 23 vjeçarja, Xhulja Marku nëpërmjet punësimit për punët e dorës në projektin e BE-së ja ka dalë të jetë një vajzë e pavarur.

Familjet shqiptare janë akoma me mentalitetin e vjetër sidomos në fshatrat ku jena ne. Në zonat tona sidomos babai është ajo figura që është më fanatik, por ne duhet të sakrifikojmë pak për punën tonë, kur e kemi diçka me pasion. Nuk kena qenë asnjëherë aq të lira, por pak nga pak duke punuar, duke u përshtatur me vendin arrin të bëhesh dikushi.

Xhulja Marku për Report Tv

Projekti “Gratë” synon emancipimin social-ekonomik në zonat malore të qarkut të Shkodrës. Dhe siç tregojnë për Report Tv gratë e maleve, nëse në fillim pjesëtaret e grupit numëroheshin me gishtat e dorës, sot janë bërë një grup i konsiderueshëm grash të pavarura.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?