Zëdhënësi i BE, Peter Stano

BE nuk ka besim tek Serbia për çështjet e sigurisë, thirrje Beogradit të përshtatet me politikat e Brukselit kundër Rusisë

7 Mars, 15:12| Përditesimi: 7 Mars, 15:22

  • Share

Bashkimi Europian nuk ka besim te Serbia dhe për këtë arsye po mban qasje të caktuar ndaj saj sa i takon fushave të ndryshme të bashkëpunimit. Radio Evropa e Lirë shkruan se burime evropiane në Bruksel kanë përsëritur se i shohin qëndrimet e Serbisë lidhur me Rusinë, me shumë skepticizëm.

Raportet e afërta mes Beogradit dhe Moskës kanë ndikuar që BE të ketë një qëndrim shumë të kujdesshëm në takimet me zyrtarë serbë ku flitet për çështjet e sigurisë.

“Të gjitha institucionet dhe të gjitha vendet anëtare janë të vetëdijshëm për lidhjet që autoritetet zyrtare kanë me Moskën në fusha të ndryshme, prandaj e trajtojmë Serbinë në mënyrë përkatëse. Me fjalë të tjera, kur është fjala për konfidencialitetin, sigurinë, mbrojtjen, shërbimet e zbulimit dhe interesat strategjike të BE-së, Serbia ka shumë pak kredibilitet në sytë e partnerëve evropianë.”, thuhet në reagimin e BE.

Zëdhënësi i BE, Peter Stano i ka bërë thirrje Beogradit zyrtar që të përshtatet me politikat e Bashkimit Europian lidhur me Rusinë.

“Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë me partnerët tanë, përfshirë vendet kandidate si Serbia. Raportet me Rusinë nuk mund të jenë si një punë e përditshme sikur të mos ketë ndodhur asgjë në kohën kur regjimi i Putinit vazhdon agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar në Ukrainë.”, u shpreh zëdhënësi i BE.

Serbia mbetet i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka mbështetur sanksionet e BE-së kundrejt Rusisë për luftën në Ukrainë.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?