Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar për situatën e krijuar me godinën e televizionit News24 dhe mediave të tjera që përfshin ky grup mediatik, duke thënë se po e ndjekin nga afër.
Në një reagim për mediat, Bashkimit Europian thotë se gazetarët nuk duhet të pengohen në punën e tyre për të përcjellë informacionet dhe për të ruajtur konfidencialitetin e burimeve të tyre.
Ndërsa sa i përket mosmarrëveshjes mes pronarëve të News24 dhe shtetit, delegacioni i BE thekson se duhet të zgjidhet duke respektuar ligjin.
“Ne po ndjekim nga afër situatën lidhur me Focus Media Group dhe mediat e saj. Mosmarrëveshjet midis të gjitha palëve të përfshira duhet të zgjidhen duke respektuar plotësisht ligjshmërinë dhe procedurat e rregullta ligjore. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që çdo veprim i ndërmarrë të mos cenojë mundësinë e gazetarëve për të ushtruar lirinë e tyre në përcjelljen e informacionit dhe për të ruajtur konfidencialitetin e burimeve të tyre. Këto janë aspekte thelbësore të lirisë dhe pluralizmit të medias, që janë kritike për garantimin e shtetit të së drejtës”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE.
Një ditë më parë, Gjykata e Tiranës vendosi që gazetarëve t’u kthehen materialet që u morën nga godina e televizionit.
Ndërsa administratori i shoqërisë KAYO, Ardi Veliu, që ka marrë në zotërim godinën shtetërore ku vepronte televizioni News24, përmes një shkrese kishte vënë në dijeni administratorin e medias për lirimin vullnetar të hapësirave brenda 48 orësh, gjë që sipas tij nuk ndodhi, e për këtë arsye sendet dhe materialet u dërguan te Rezervat e Shtetit.
Situata me News24 është krijuar për shkak se televizionit i ka skaduar prej 3 vitesh afati i qirasë për godinën shtetërore.
Komente

Fiala e lire!!!!!!!! Kushe e pengon, apo interesat e Irfanit Ku pengohet ? Irfani te paguaj qerane te paguaj debine dhe te gjeje ambjente per gazetaret
PërgjigjuPo ja, pra, qeveria respekton ligjin - vendimin gjyqësor, të cilin pronari i medias nuk pranon ta respektojë.
Përgjigju