Foto ilustruese

Bota

BE planifikon vendosjen e çmimit tavan për gazin rus

7 Shtator 2022, 16:32| Përditesimi: 7 Shtator 2022, 16:47

  • Share

Bashkimi Evropian planifikon që të vendosë çmim tavan për gazin rus, pasi presidenti Vladimir Putin kërcënoi se do të ndalonte të gjitha furnizimet nëse ndërmerrej  një hap të tillë.

Rusia deri më tani  ka ndërprerë pjesërisht apo plotësisht furnizimet me gaz në  13 vende anëtare të BE-së, të cilat përdorin energjinë ruse për të ngrohur shtëpitë, për të prodhuar rrymë dhe për të mbajtur në funksion fabrikat.

Evropa ka akuzuar Rusinë se  po përdorë gazin në shenjë hakmarrjeje për sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë. Rusia fajëson këto sanksione për shkaktimin e problemeve të furnizimit me gaz, të cilat i konsideron si defekte të tubacioneve.

Ministrat e energjisë të BE-së do të mbajnë një takim urgjent të premten për të diskutuar se si të trajtohet kriza energjetike.

"Ne do të propozojmë një kufi çmimi për gazin rus... Ne duhet të shkurtojmë të ardhurat e Rusisë që Putin përdor për të financuar këtë luftë mizore në Ukrainë," u tha gazetarëve presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Komisioni do të parashtrojë gjithashtu masa të tjera, duke përfshirë një reduktim të detyrueshëm të përdorimit të energjisë elektrike gjatë orëve të pikut dhe një kufi mbi të ardhurat e energjisë së prodhuar nga burime të tjera.

Putin, në anën tjetër, ka paralajmëruar kundërpërgjigje.

 “A do të ketë vendime politike që bien ndesh me kontratat? Po, ne thjesht nuk do t'i përmbushim ato. Ne nuk do të ofrojmë asgjë nëse kjo bie ndesh me interesat tona”, tha Putin.

“Ne nuk do të furnizojmë gaz, naftë, qymyr, naftë për ngrohje , nuk do të furnizojmë asgjë”, tha Putin.

Evropa zakonisht importon rreth 40% të gazit dhe 30% të naftës së saj nga Rusia.

Demokracitë e pasura të Grupit të Shtatë (G7) njoftuan planet për të vendosur një kufi çmimi mbi eksportet e naftës ruse javën e kaluar, një veprim që mund të kufizojë gjithashtu aftësinë e Rusisë për të siguruar cisterna dhe sigurime nga vendet përtej G7-ës./REUTERS

Ora 17:45
Rusia thotë se gazsjellësi për në Evropë ‘praktikisht’ është mbyllur

1662565555_Screenshot1.jpg

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka hedhur poshtë akuzat e Perëndimit se Moska po përdor si “armë” eksportet e energjisë. Ai u mburr se mund të shesë lehtësisht naftë dhe gaz në mbarë botën, teksa fajësoi evropianët për ndërprerjet aktuale të dërgesave të gazit. Duke folur në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok më 7 shtator, Putin tha se gazsjellësi Rrjedha Veriore 1 – që transporton gaz nga Rusia në Gjermani – “praktikisht është mbyllur” dhe të do vazhdojë të jetë i mbyllur sepse një nga turbinat ende është jashtë funksionit. Putin tha se kompania ruse Gazprom ka vullnet që të rikthejë dërgesat e gazit për Rrjedhës Veriore 1, nëse vendoset turbina e re, e cila duhet të dërgohet direkt nga Rusia.

Ai po ashtu tha se Rusia është e gatshme të vërë në funksion gazsjellësin Rrjedha Veriore 2, nëse është e nevojshme. Ndërprerjet e dërgesave të gazit rus kanë ngritur frikën se Moska do të vazhdojë të mos dërgojë gaz për një periudhë të gjatë kohore me qëllim që t’iu bëjë presion shteteve Perëndimore dhe të thyejë unitetin e tyre sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Gazprom pezulloi dërgesat me gaz përmes Rrjedhës Veriore 1 më 31 gusht për të kryer punime të rregullta të mirëmbajtjes, por kompania ruse nuk riktheu dërgesat me gaz për shkak të, siç tha, rrjedhjeve në një pompë të turbinës.

Partneri gjerman i Gazpromit, Siemens Energy hodhi poshtë pretendimin e Rusisë se ndërprerjet janë shkaktuar për shkak të “riparimeve”. Gazsjellësi Rrjedha Veriore 1 sjell një të tretë e furnizimeve me gaz rus për Evropën. Gjatë verës, Gazpromi tha se sanksionet perëndimore po pengonin kompaninë që të dërgonte një turbinë të re nga jashtë.

Ndërkaq, Rrjedha Veriore 2 është një gazsjellës i përfunduar, që do të duhej të sillte gaz nga Rusia për në Gjermani përmes Detit të Zi. Por, autoritetet në Berlin nuk kanë certifikuar futjen në funksion të këtij tubacioni për shkak të luftës në Ukrainë. Perëndimi vazhdimisht ka akuzuar Moskën se po përdor si “armë” dërgesat e gazit dhe produkteve të tjera të energjisë, teksa Rusia po vazhdon luftën në Ukrainë, që është një shtet transit për gazin rus. Në Vladivostok, Putin po ashtu tha se sanksionet e vendosura ndaj shtetit të tij kanë shkaktuar krizën me gaz dhe shtoi se Ukraina ka mbyllur një prej rrugëve transit të energjisë. Ai tha se edhe Polonia ka mbyllur një tubacion gazi që transporton energji nga Siberia për në Poloni dhe Gjermani./ REL

S.C/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Putin: 07/09/2022 18:18

    Fajin gjithmonë e ka Putin për gjithcka që ndodh në botë , nord stream 2 kishte përfunduar shumë kohë para se të niste lufta por Gjermania e anulloi se ia kërkoj Amerika për arsye se do të shes gazin e saj të lëngshëm . Putin përdor gazin si armë thonë perëndimorët , po këta cfarë bëjnë kundra shteteve që duan tju bëjnë grusht shteti a nuk ju vendosin sanksione derisa ta shkatërrojnë ? Dimër i vlshtirë do të vij përpara dhe Europa është e pa përgatitur kam frikë se do ta dredhin këta si kanë bër gjithmonë ..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?