Donald Trump

Bota

BE sfidon Trumpin për tarifat doganore/ Unioni reagon pas vendimit të presidentit SHBA për makinat: Do të ketë një përgjigje të fortë

27 Mars, 20:27| Përditesimi: 27 Mars, 22:46

  • Share

Bashkimi Europian do t’i përgjigjet tarifave të reja doganore prej 25% të nënshkruara sot nga Presidenti Amerikan Donald Trump për makinat e importuara që hyjnë në SHBA.

Komisioni Europian përmes zëdhënësit, Olof Gill thotë se është duke përgatitur përgjigjen e tij për tatimin që hyn në fuqi më 2 prill. Gill deklaroi se nuk mund të jepte një datë të saktë se kur BE do të vendoste tarifa doganore reciproke ndaj Shteteve të Bashkuara, por tha se mund të jepte garanci se përgjigja do të ishte e fortë dhe në kohën e duhur për të arritur efektet e synuara.

“Nëse është e nevojshme, ne do të japim një përgjigje të fortë, proporcionale, të fuqishme dhe të mirëkalibruar dhe në kohë ndaj çdo mase të padrejtë dhe kundërproduktive nga SHBA-ja”, shprehet Olof Gill, zëdhënësi i KE-së.

Ndërsa Kanadaja tha se do t’i përgjigjej masës së re të njoftuar nga Trump, Mbretëria e Bashkuar duket se nuk dëshiron të përshkallëzojë luftën tregtare me SHBA-në. Ministrja britanike e financave Rachel Reeves, tha se për momentin Britania nuk është në pozicionin që të marrë masa që çojnë në përshkallëzimin e situatës.

Franca dhe Gjermania janë mes vendeve që po bëjnë thirrje për një përgjigje të fortë të Bashkimit Evropian ndaj tarifave doganore të reja të SHBA që godasin industrinë evropiane të makinave. Trump e konsideroi vendimin të drejtë por edhe shpagim për të gjitha to vende që tha se ndër vite kanë përfituar në kurriz të shteteve të bashkuara.

Vetëm vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara importuan automjete me vlerë 474 miliardë dollarë nga vende si Gjermania, Kanadaja, Meksika, Koreja e Jugut dhe Japonia.

Trump argumentoi më tej se tarifat do të gjenerojnë miliarda dollarë të ardhura shtesë për SHBA-në. Këto para sipas tij, janë të mjaftueshme për të ulur taksat dhe për të ndihmuar në shlyerjen e borxhit të jashtëm, ndërsa nga ana tjetër nga nisma supozohet të përfitojë edhe industria vendase e automjeteve, raportojnë media. 

Presidenti amerikan beson se për të shmangur tarifat doganore, prodhuesit e makinave në të ardhmen do të prodhojnë tërësisht në SHBA, edhe pse kjo siç pohoi ai, nuk ka për të ndodhur brenda ditës. Megjithatë, ekspertë të ekonomisë paralajmërojnë se gjërat mund të mos shkojnë saktësisht sipas planit të Trumpit. Ata theksojnë se impakti i parë i kësaj nisme do të jetë një rritje masive e çmimit të makinave për konsumatorët amerikanë.

H.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?